BE-ja planifikon t`i japë Frontex-it kompetenca të reja për dëbimin e migrantëve
Bashkimi Evropian po planifikon t'i japë agjencisë kufitare Frontex kompetenca të reja për kthimin e migrantëve të parregullt nga një vend jashtë BE-së në një tjetër, duke zgjeruar operacionet e saj përtej kufijve evropianë.
Siç raporton Euronews, duke iu referuar disa zyrtarëve të BE-së që kanë folur në kushte anonimiteti, reformat pritet të prezantohen të martën nga Komisioni Evropian.
Sipas rregullave të reja, Frontex do të mund t'i mbështesë autoritetet e vendeve të treta, përfshirë qeveritë e Afrikës së Veriut, në kthimin e shtetasve të Afrikës Qendrore në vendet e tyre të origjinës, para se ata të përpiqen të arrijnë në Evropë.
“Sa më shumë njerëz të ktheni para se të arrijnë në Evropë, aq më pak do t'ju duhet të ktheni më pas”, ka thënë një zyrtar i BE-së për Euronews.
Frontex do të lejohet gjithashtu të marrë pjesë në dëbimet nga qendrat e kthimit që vendet e BE-së mund t'i krijojnë në vende të treta.
Pesë qeveri të BE-së janë duke negociuar krijimin e qendrës së parë, e cila pritet të nisë funksionimin në vitin 2027.
Sipas Euronews, disa organizata joqeveritare kanë kërkuar që zgjerimi i kompetencave të Frontex-it të shoqërohet me mekanizma më të fuqishëm mbikëqyrjeje dhe llogaridhënieje për mbrojtjen e të drejtave të migrantëve.
Çdo bashkëpunim me vendet e treta do të kërkojë marrëveshje të veçanta, të ngjashme me ato që Frontex ka tashmë me Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Reforma parasheh edhe krijimin e një force të reagimit të shpejtë në rast të ardhjeve masive të migrantëve, si dhe një njësie për monitorimin e rrjeteve sociale.
Nënkryetarja e Komisionit Evropian për Siguri, Henna Virkkunen, dhe komisioneri për Punët e Brendshme, Magnus Brunner, pritet ta prezantojnë reformën të martën.
Frontex pritet gjithashtu të marrë 12 miliardë euro nga buxheti i ardhshëm shtatëvjeçar i BE-së, dyfish më shumë se fondet e mëparshme.























