Izraeli drejt kutive të votimit, zgjedhjet dominohen nga siguria dhe demokracia
Flutura Bekqeli /RTK
Izraelitët po u drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet që konsiderohen si ndër më të rëndësishmet në historinë e vendit. Votimi shihet gjithashtu si një referendum mbi udhëheqjen e kryeministrit Benjamin Netanyahu, pas sulmeve të 7 tetorit 2023.
Sondazhet e publikuara të premten tregojnë se kryeministri aktual, Benjamin Netanyahu, është në një garë tejet të ngushtë me ish-shefin e ushtrisë, Gadi Eisenkot, për postin e kryeministrit. Megjithatë, asnjëri prej blloqeve të tyre politike nuk parashikohet të sigurojë 61 vendet e nevojshme për të formuar një qeveri me shumicë çka nënkupton se mund të pasojnë javë apo muaj të tërë debatesh e përplasjesh politike.
Fushata është dominuar nga çështja e sigurisë; blloku opozitar e ka kritikuar ashpër Netanyahun për dështimin e paprecedentë të sigurisë që çoi në sulmet e 7 tetorit kundër Izraelit të udhëhequra nga Hamas derisa opozita ka kërkuar ngritjen e një komisioni të pavarur hetimor për këto sulme një kërkesë të cilës Netanyahu i është kundërvënë prej kohësh, duke pretenduar se një komision i tillë do të ishte i njëanshëm kundër tij.
Pavarësisht kritikave të opozitës, Netanyahu e ka paraqitur sërish veten si "Zot Sigurie", duke theksuar ato që ai i quan fitore strategjike në luftërat e Izraelit në Lindjen e Mesme, si dhe marrëdhënien e tij të ngushtë me presidentin amerikan, Donald Trump. Sistemi i përfaqësimit proporcional në Izrael nënkupton se qeveritë kanë qenë gjithmonë koalicione dhe gara për pushtet mund të sjellë, e në fakt ka sjellë, aleanca të papritura.
Megjithatë, këto zgjedhje duken veçanërisht të ngushta dhe vijat ndarëse janë përcaktuar tashmë. Eisenkot, i cili kryeson partinë e sapokrijuar "Yashar", është figura kryesore në të ashtuquajturin "bllok i ndryshimit" një grupim partish që, ndonëse kanë dallime ideologjike, ndajnë të njëjtin qëllim: largimin e Netanyahut nga pushteti. Mes liderëve të tjerë të këtij blloku janë ish-kryeministri Naftali Bennett dhe Avigdor Lieberman të dy të krahut të djathtë, me qëndrime të ashpra sa i përket sigurisë si dhe Yair Golan, një ish-gjeneral me prirje të majta.
Në orët e mbrëmjes të së martës, transmetuesit izraelitë do të publikojnë sondazhet e daljes. Këto do të japin një tregues të drejtimit të votimit, por mund të ndryshojnë ndjeshëm.























