Studentët danezë në protesta masive
BKT
Rajoni dhe Bota

Studentët danezë në protesta masive

RTKlive

Mijëra studentë dhe të rinj kanë protestuar sot në Kopenhagë kundër planit të qeverisë daneze për reduktimin e bursave studentore.

Nën sloganin “Mjaft është mjaft”, 11 organizata studentore marshuan nga sheshi i Bashkisë drejt Parlamentit, duke kundërshtuar shkurtimet që synojnë lirimin e fondeve për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.

Sipas organizatorëve, rreth 40 mijë studentë në 57 shkolla në Danimarkë morën pjesë në grevë, ndërsa 12 deri në 13 mijë persona protestuan në Kopenhagë.

Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, nën praninë e shtuar të policisë. Studentët mbanin pankarta me mbishkrime si “Shpëtoni SU-në”, “Më pak mbështetje, më pak arsimim” dhe “Mos i mashtroni të rinjtë”, duke kundërshtuar atë që e konsiderojnë cenim të mundësive për arsimim.

Plani i qeverisë parasheh heqjen e bursës SU për studentët që jetojnë me prindërit, në rastet kur të ardhurat vjetore të familjes tejkalojnë 700 mijë korona daneze, apo rreth 104 mijë dollarë.

Ndërkaq, për familjet me të ardhura nga 419 589 deri në 700 mijë korona, ndihma do të reduktohet gradualisht.

Sipas Ministrisë së Arsimit të Lartë, rreth 14 mijë studentë pritet ta humbasin plotësisht bursën, ndërsa 8 mijë të tjerë do të përfitojnë shuma më të ulëta.

Sistemi SU, i krijuar në vitin 1970, është një nga shtyllat e modelit danez të arsimit dhe synon t'u mundësojë të rinjve të studiojnë pavarësisht të ardhurave të prindërve.

Aktualisht, studentët që jetojnë me familjen marrin 1 154 korona daneze në muaj, ndërsa ata që jetojnë më vete përfitojnë 7 426 korona.

Qeveria ka propozuar gjithashtu kufizimin e përfitimeve të papunësisë për të sapodiplomuarit, duke i kushtëzuar ato me punësimin gjatë të paktën 18 prej 24 muajve të fundit të studimeve.

Studentët e kundërshtojnë këtë politikë, duke e konsideruar goditje ndaj mbështetjes ekonomike për të rinjtë. / Burimi: AFP


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota