Rodriguez: Milani na e mori Champions-in me një penallti inekzistente
BKT
Sport

Rodriguez: Milani na e mori Champions-in me një penallti inekzistente

F.B/RTKLive

Ish-mbrojtësi i Fiorentinës, Gonzalo Rodriguez, ka rikthyer në kujtesë një nga momentet më të diskutueshme të garës për kualifikim në Ligën e Kampionëve në vitin 2013, duke pretenduar se skuadra vjollcë mbeti jashtë garës elitare për shkak të një penalltie që, sipas tij, nuk ekzistonte, në favor të Milanit.

Në një intervistë për gazetën italiane “La Gazzetta dello Sport”, argjentinasi ka folur për pesë vitet e kaluara në Firence, nga viti 2012 deri më 2017, duke kujtuar periudhën e tij te Fiorentina dhe bashkëlojtarët me të cilët ndau momente të veçanta.

Rodriguez u ndal edhe te ish-kapiteni Davide Astori, i cili ndërroi jetë më 4 mars 2018, pas një sulmi në zemër në Udine.

“Astori është me mua çdo ditë. Mendimi se ai nuk është më këtu më shkatërron. Më vjen të qaj edhe vetëm kur flas për të. Ishte partneri im në mbrojtje dhe do ta mbaj gjithmonë me vete. Ende e ruaj një fotografi të golit të fundit që shënova për Fiorentinën. Davide po vinte drejt meje për të më përqafuar. Sa shumë jetë kemi ndarë së bashku”, deklaroi ai.

Ish-futbollisti tregoi edhe se si kishte përfunduar në Itali, duke zbuluar se transferimi i tij te Fiorentina ishte realizuar së bashku me Borja Valeron, me të cilin luante te Villarreali.

“Borja Valero i kishte udhëhequr negociatat për transferimin tim në Itali. Unë tashmë e kisha pranuar ofertën, por Fiorentina dëshironte të na transferonte të dyve. Një mbrëmje më telefonoi dhe më tha: ‘Gonzalo, bëji gati valixhet, po shkojmë në Firence’”, kujtoi Rodriguez.

Megjithatë, momenti më i veçantë i intervistës ishte rikthimi te sezoni 2012/13, kur Fiorentina ishte shumë pranë kualifikimit në Ligën e Kampionëve.

“Fillimisht me Vincenzo Montellan dhe më pas me Paulo Sousan, luanim futboll të shkëlqyer, por nuk arritëm asnjëherë në Ligën e Kampionëve. Në vitin 2013 ishim shumë pranë, por në xhiron e fundit Milani fitoi një penallti që nuk ekzistonte dhe ne përfunduam në vendin e katërt”, tha ish-mbrojtësi.

Në atë sezon, vetëm tri skuadrat e para të Serie A siguronin pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Fiorentina e mbylli kampionatin me 70 pikë, dy më pak se Milani.

Kuqezinjtë arritën të fitonin 2:1 në udhëtim ndaj Sienës në xhiron e fundit, duke përmbysur disavantazhin dhe duke siguruar vendin e tretë, ndërsa Fiorentina mbeti jashtë garës elitare.