Çitaku e Malaj: Mbrojtja e UÇK-së, mision i përbashkët shqiptar
BKT
Lajme

Çitaku e Malaj: Mbrojtja e UÇK-së, mision i përbashkët shqiptar

Sh.Ç/RTKlive

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka pritur në një takim përshëndetës ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në Kosovë.

Në takim, ku ishte i pranishëm edhe sekretari për politika programore i PDK-së, Bajrush Xhemajli, Çitaku e falënderoi ambasadorin Malaj për bashkëpunimin dhe kontributin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo i uroi suksese në detyrën e re si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.

Nga ana e tij, Malaj shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me PDK-në dhe vlerësoi rolin e saj historik për Kosovën dhe shqiptarët, ndërsa Çitakut i uroi suksese në përgjegjësinë e re në krye të partisë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe Shqipërisë. Çitaku dhe Malaj vlerësuan përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e hapave konkretë edhe për Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Të dy palët shprehën solidaritet me çlirimtarët dhe theksuan nevojën për një proces të drejtë dhe të paanshëm.

Në këtë kontekst, u nënvizua se mbrojtja e së vërtetës për luftën e UÇK-së, e historisë dhe e së ardhmes së Kosovës është mision i përbashkët i të gjithë shqiptarëve.

Çitaku riafirmoi se PDK-ja do të qëndrojë pranë çlirimtarëve gjatë çdo faze të procesit të apelit, duke shprehur besimin se ky proces do të çojë në rrëzimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe në lirimin e tyre të plotë.


MË SHUME NGA Lajme