Përgatitjet për dimër, Ministria e Infrastrukturës dhe Policia koordinohen për mirëmbajtje
Sh.Ç/RTKlive
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka përfunduar takimin koordinues me Policinë e Kosovës dhe operatorët ekonomikë përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugëve, në kuadër të përgatitjeve për sezonin dimëror.
Në njoftimin e saj, Ministria ka bërë të ditur se gjatë takimit koordinues është diskutuar për gatishmërinë e ekipeve në terren, gjendjen e makinerive për pastrimin e borës dhe sigurimin e sasive të nevojshme të kripës për trajtimin e ngricave.
“Rrugët i mirëmbajmë gjatë gjithë vitit, duke i përshtatur ndërhyrjet me kushtet e secilit sezon”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ministria u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht në rastet kur ka reshje bore dhe ngrica.
Po ashtu, ka rikujtuar se pajisjet dimërore janë të detyrueshme nga 15 nëntori deri më 15 mars.
“Para nisjes, kontrolloni gjendjen e gomave dhe gjatë udhëtimit përshtateni shpejtësinë me kushtet e rrugës”, apelon Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.






















