Islami: Deklaratat për Banjskën kërkojnë vëmendje të institucioneve të Kosovës
RTKlive
Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, ka vlerësuar se deklaratat e ish-drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë (VBA), Momir Stojanoviq, lidhur me sulmin në Banjskë të 24 shtatorit 2023, janë të rëndësishme për vlerësimin e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës.
Në një reagim, Islami ka thënë se dyshimet e ngritura për organizimin, armatosjen, koordinimin dhe mbështetjen logjistike të grupit të armatosur forcojnë bindjen për përfshirjen e mundshme të strukturave serbe të sigurisë në këtë rast.
Ai ka theksuar se deklaratat marrin rëndësi edhe në kontekstin e ndryshimeve në udhëheqjen ushtarake dhe të inteligjencës së Serbisë, përfshirë pensionimin e Milan Mojsiloviqit dhe Gjuro Jovaniqit, ndonëse ka shtuar se nuk ka dëshmi të konfirmuara që i ndërlidhin këto ndryshime me rastin e Banjskës.
Islami ka ngritur gjithashtu çështjen e trajtimit gjyqësor të Milan Radoiçiqit nga institucionet serbe, duke pyetur se ku ndodhet ai dhe pse fletarrestimi është lëshuar vetëm tani e jo më herët.
Sipas tij, këto zhvillime kërkojnë masa parandaluese nga institucionet e Kosovës, vlerësim të vazhdueshëm të kërcënimeve bazuar në informacionet e AKI-së dhe inteligjencës së Policisë, si dhe forcim të koordinimit me KFOR-in, EULEX-in dhe partnerët strategjikë ndërkombëtarë.






















