Prodhuesit nga Kosova prezantojnë produktet e tyre në Izmir, synohen partneritete të reja
Sh.Ç/RTKlive
Prodhuesit nga Kosova kanë prezantuar produktet e tyre në kuadër të aktivitetit “Ditët e Kosovës”, që po mbahet në qytetin e Izmirit në Turqi, ku kanë zhvilluar takime dhe bisedime me sipërmarrës vendas, me synimin për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe zgjerimi të tregut.
Për këtë aktivitet ka shkruar në Facebook, zëvendësministëri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, i cili ka shprehur shpresën se takimet e zhvilluara do të rezultojnë me porosi të reja për prodhuesit kosovarë dhe partneritete afatgjata ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve.
Mehmeti ka veçuar gjithashtu edhe dimensionin kulturor të këtij aktiviteti, duke theksuar emocionin që sollën kënga shqipe dhe vallet tradicionale shqiptare në zemër të Izmirit.
Ai ka thënë se në këtë qytet ende ruhet dhe dëgjohet gjuha shqipe me dialektin që është trashëguar nga të parët e familjeve shqiptare me prejardhje nga trojet shqiptare.
Në fund, Mehmeti ka falënderuar organizatorët, bashkatdhetarët shqiptarë dhe miqtë turq për mikpritjen e ngrohtë.






















