“Ferizaj Piano Fest” me edicionin e shtatë, rreth 120 pianistë morën pjesë në garë
BKT
Kulturë

“Ferizaj Piano Fest” me edicionin e shtatë, rreth 120 pianistë morën pjesë në garë

Sh.G|RTKlive

Festivali “Ferizaj Piano Fest” ka hyrë në edicionin e shtatë, duke vazhduar traditën e promovimit të muzikës pianistike dhe të artistëve të rinj nga trevat shqiptare.

Në një intervistë në "Mirëmëngjesi Kosovë" në RTK, organizatorja e festivalit, Ylberina Isufi Ibrahimi, ka bërë të ditur se festivali zhvillohet në dy etapa. Etapa e parë, e mbajtur në muajin qershor, përfshiu garën pianistike, ku morën pjesë rreth 120 pianistë të rinj nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

“Këtë vit kemi festivalin ‘Ferizaj Piano Fest’, edicionin e shtatë, i cili festival organizohet në dy etapa, ku në muajin qershor kemi pasur garën pianistike, ku kanë marrë pjesë rreth 120 pianistë të rinj nga trevat shqiptare, nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia”, ka thënë Ylberina Isufi Ibrahimi.

Etapa e dytë e festivalit përfshin dy koncerte, të cilat mbahen në Teatrin “Adriana” në Ferizaj. Programi nis me koncertin recital të Eliza Gjedikut nga Tirana, fituese e çmimit special “Ferizaj Piano Fest”.

“Po, në orën 17:00 do të kemi koncertin e fitueses, Eliza Gjediku nga Tirana, e cila mori çmimin special ‘Ferizaj Piano Fest’, ku ne si festival i organizojmë koncertin recital, mirëpo do të ketë edhe mysafirë që ishin çmime absolute në këtë edicion”, ka deklaruar ajo.

Në kuadër të programit është paraparë edhe koncerti “Mozaik Shqiptar”, ku do të ngjiten në skenë artistë, solistë dhe pianistë të njohur nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, me interpretime të veprave artistike shqiptare.

Duke folur për interesimin e të rinjve për mësimin e pianos, Isufi Ibrahimi ka vlerësuar se pjesëmarrja në festival është rritur ndjeshëm nga viti në vit. Sipas saj, nga rreth 30 pianistë në edicionin e parë, numri i pjesëmarrësve në garë ka arritur në rreth 120.

“Interesimi për instrumentin e pianos është shumë i madh dhe pjesëmarrja në garë çdo vit e më shumë po rritet, duke parë seriozitetin e festivalit dhe cilësinë e festivalit. Duke u bazuar nga edicioni i parë, ku kishim rreth 30 pianistë, tani ka arritur numri rreth 120 dhe interesimi çdo vit po shtohet edhe më shumë”, ka thënë Isufi Ibrahimi.

Ajo ka theksuar se organizimi i një festivali të tillë kërkon angazhim dhe përkushtim, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunëtoren Besiana Dërmaku dhe gjithë ekipin që kontribuon në realizimin e tij.

“Ferizaj Piano Fest” vazhdon të shërbejë si një hapësirë për promovimin e muzikës klasike, mbështetjen e pianistëve të rinj dhe forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet artistëve shqiptarë.


MË SHUME NGA Kulturë