Kusari-Lila: Mbi 70% e investimeve të diasporës janë në patundshmëri
G.K/RTKlive
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se mbi 70 për qind e investimeve të diasporës në Kosovë janë të përqendruara në patundshmëri, duke theksuar nevojën për orientimin e tyre drejt prodhimit dhe ndërmarrësisë.
Gjatë një takimi me përfaqësues të diasporës në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Frankfurt, Kusari-Lila ka bërë të ditur se ekonomia, arsimi dhe drejtësia ishin temat për të cilat pjesëmarrësit shprehën interes të veçantë.
“Në Gjermani jemi për të promovuar Kosovën, por suksesin e plotë do ta arrijmë atëherë kur të ndryshojë edhe struktura e investimeve të diasporës në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Sipas ministres, diversifikimi i investimeve drejt prodhimit, ndërmarrësisë dhe sektorëve me vlerë të shtuar është i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
Kusari-Lila ka bërë të ditur se gjatë vizitës ka takuar edhe studentë të Menaxhmentit, Biznesit dhe Drejtësisë, të cilët studiojnë në Gjermani dhe kanë shprehur vullnetin për t'u bërë pjesë e institucioneve dhe zhvillimit të ndërmarrësisë në Kosovë.
Ajo ka takuar gjithashtu të rinj nga diaspora, të angazhuar në politikën lokale.
“Diaspora jonë nuk është larg Kosovës. Ajo është pjesë e saj, krahët e të njëjtit trup. Me dijen, përvojën, kapitalin dhe energjinë e saj, mund të bëhet një nga shtyllat më të fuqishme të zhvillimit të vendit tonë”, ka theksuar Kusari-Lila.
Ministrja ka falënderuar konsullin Gzim Gashi dhe stafin e Konsullatës për organizimin dhe mikpritjen.






















