Kompania franceze fiton ankandin e parë të energjisë nga era
BKT
Ekonomi

Kompania franceze fiton ankandin e parë të energjisë nga era

V.Th / RTKLive

AKUO Energy SAS ka ofruar 98 megavatë me çmim prej 75.94 eurosh për megavat-orë. Projekti pritet të sjellë investim prej rreth 150 milionë eurosh.

Kompania franceze AKUO Energy SAS është shpallur fituese e ankandit të parë të energjisë nga era në Kosovë, me kapacitet të ofruar prej 98 megavatësh dhe çmim prej 75.94 eurosh për megavat-orë (MWh).

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se çmimi fitues është 5.31 për qind më i ulët se çmimi tavan prej 80.20 eurosh për MWh, i përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Sipas njoftimit të ministrisë, në fazën e parë të ankandit ishin kualifikuar tri kompani dhe konsorciume nga Franca, Turqia, Gjermania dhe Kosova. Pas vlerësimit të ofertave teknike dhe financiare dhe përfundimit të afatit për ankesa, gjatë të cilit nuk është pranuar asnjë ankesë, AKUO Energy SAS është shpallur zyrtarisht fituese.

Realizimi i projektit pritet të sjellë investim prej rreth 150 milionë eurosh në sektorin e energjisë në Kosovë.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, ky investim pritet të rrisë kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, të kontribuojë në uljen e varësisë nga importi dhe të rrisë sigurinë e furnizimit, si dhe të krijojë vende të reja pune.

Hapi i radhës në këtë proces është nënshkrimi i marrëveshjeve të projektit, të cilat do të përcaktojnë të drejtat dhe obligimet e palëve për realizimin e investimit.

Ankandi është zhvilluar me mbështetjen e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev.


MË SHUME NGA Ekonomi