Rizvanolli: Gjetjet e auditorit lidhen me regjistrimin e pasurive
BKT
Ekonomi

Rizvanolli: Gjetjet e auditorit lidhen me regjistrimin e pasurive

K. K. / RTKlive

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka thënë se gjetjet kryesore të auditorit lidhen me regjistrimin dhe paraqitjen e pasurive, kapitalizimin dhe klasifikimin e shpenzimeve, një procedurë të prokurimit të ekspertëve dhe funksionimin e auditimit të brendshëm.

Rizvanoll pohoi se, me përjashtim të çështjeve të evidentuara në raport, pasqyrat financiare paraqesin në mënyrë të drejtë gjendjen financiare të ministrisë, ndërsa transaksionet gjatë ekzekutimit të buxhetit kanë qenë në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi.

“Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Ekonomisë për këtë vit. Për qartësim për publikun, kjo do të thotë që, me përjashtim të çështjeve të evidentuara në raport, pasqyrat financiare paraqesin në mënyrë të drejtë gjendjen financiare të ministrisë. Po ashtu, auditori ka konstatuar se transaksionet e kryera gjatë ekzekutimit të buxhetit kanë qenë në të gjitha aspektet materiale në pajtueshmëri me legjislacionin e zbatueshëm. Në raport janë gjithsej 5 rekomandime. Çështjet kryesore që kanë qenë në fakt gjetje edhe përgjatë viteve të kaluara dhe kanë tendencë të jenë edhe tek institucionet e tjera, lidhen me regjistrimin dhe paraqitjen e pasurive. Dhe për shkak të vlerës së tyre, kjo në fakt ka ndikuar që 2 vitet e fundit ta kemi opinionin e kualifikuar, megjithëse nuk ka pasur gjetje të tjera materiale. Pastaj, kapitalizimin dhe klasifikimin e shpenzimeve kanë të bëjnë gjetje të tjera”, tha ajo.

Rizvanolli tha se ministria i ka trajtuar të gjitha rekomandimet dhe ka përgatitur planin e veprimit, ku janë përcaktuar masat, afatet dhe njësitë përgjegjëse për zbatimin e tyre.

“Një procedurë të prokurimit të ekspertëve, të cilën do ta diskutojmë më vonë, si dhe me funksionimin e auditimit të brendshëm. Ministria i ka trajtuar të gjitha rekomandimet dhe ka përgatitur planin e veprimit, përmes të cilit janë përcaktuar masat, afatet dhe njësitë përgjegjëse për zbatimin e tyre. Çështja e parë dhe kryesore, për shkak të së cilës në fakt na është dhënë opinion i kualifikuar, është ajo që e përmendët edhe ju, ka të bëjë me projektet e efiçiencës së energjisë, të cilat janë zbatuar në nivelin komunal dhe nivelin qendror, përmes të cilit kanë fituar 22 komuna, përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ndërsa nga Ministria e Ekonomisë janë zbatuar 12 projekte. Vlera e përgjithshme e të dy projekteve ishte rreth 6.6 milionë”, tha ajo.

Ministrja theksoi se gjetjet e auditorit nuk lidhen me dështimin e projekteve të efiçiencës së energjisë, cilësinë e realizimit apo humbjen e mjeteve publike, por me mënyrën e paraqitjes së tyre në pasqyrat financiare.

“Të dy projektet janë realizuar me sukses. Investimet kanë përfunduar dhe objektet janë vënë në përdorim nga komunat dhe institucionet përfituese. Prandaj, dua të qartësoj që gjetja e auditimit nuk lidhet me dështimin e projekteve ose cilësinë e realizimit, ose mungesën apo humbjen e mjeteve publike, mirëpo thjesht paraqitjen e tyre në pasqyrat financiare të ministrisë. Deri më 31 dhjetor, 2025, projektet kanë qenë në periudhën e përgjegjësisë për defekte, ndërsa pas kësaj periudhe ato ministria ka përgatitur marrëveshjet për bartjen e pronësisë dhe u ka përcjellë komunave ose institucioneve të tjera për nënshkrim. Dhe u është kërkuar përfituesve regjistrimi i pasurive në SIMFK dhe përcjellja e ID-ve dhe dëshmive përkatëse të regjistrimit”, shtoi ajo.


MË SHUME NGA Ekonomi