Riinvest: Ekonomia e Kosovës pritet të rritet këtë vit
RTKLive
Në kuadër të Forumit Ekonomik Vjetor 2026 (FEV26), të organizuar nga Instituti Riinvest, drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Alban Hashani, ka prezantuar raportin mbi zhvillimet dhe perspektivën ekonomike të Kosovës. Gjatë prezantimit, Hashani foli për zhvillimet ekonomike globale, performancën e Kosovës në raport me vendet e rajonit, inflacionin, eksportet, investimet e huaja dhe financimin e bizneseve.
Ai tha se, sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas ngadalësimit të rritjes ekonomike globale nga 3.5 për qind në 3.1 për qind në vitin 2025, këtë vit pritet përmirësim i rritjes.
“Më lejoni të filloj shkurtimisht me një kontekst global, pra siç mund ta shihni, sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas ngadalësimit të rritjes ekonomike nga 3.5% në 3.1% në vitin 2025, këtë vit parashihet një rritje, përmirësim i rritjes ekonomike globale. Megjithatë, dinamika nuk është e njëjtë në të gjitha vendet. Shtetet e Bashkuara prijnë, pra me një rritje më solide prej diku 2.5%. Në anën tjetër, Bashkimi Evropian vazhdon të karakterizohet me rritje modeste, prej rreth 1.1–1.2%”, tha ai.
Hashani theksoi rëndësinë që ka për Kosovën rimëkëmbja e ekonomisë gjermane, duke marrë parasysh lidhjet ekonomike dhe përqendrimin e diasporës kosovare në këtë shtet. Ai përmendi edhe tri sfidat kryesore me të cilat po përballet ekonomia globale.
“Me rëndësi të veçantë për Kosovën është rimëkëmbja e ekonomisë gjermane, e cila, duke pasur parasysh lidhjet tona ekonomike, por edhe koncentrimin e diasporës sonë, ka një rëndësi të veçantë. Përtej normës të rritjes, sfidat me të cilat po përballet sot bota janë të shumta e veçanërisht evidentohen tri: ndryshimet gjeopolitike, tranzicioni ose transformimi teknologjik i nxitur veçanërisht nga inteligjenca artificiale dhe ndryshimet në mënyrën se si organizohen punët dhe zinxhirët e prodhimit”, theksoi ai.
Duke folur për zhvillimet ekonomike në Ballkanin Perëndimor, drejtori ekzekutiv i Riinvestit tha se rritja ekonomike në rajon pritet të përmirësohet nga 3.1 për qind këtë vit në 3.4 për qind vitin e ardhshëm.
Sipas tij, Kosova pritet të ketë normën më të lartë të rritjes ekonomike në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, bazuar në projeksionet e Bankës Botërore.
“Sa i përket rritjes në Ballkanin Perëndimor, pra shohim që rritja ekonomike në rajon pritet të përmirësohet nga 3.1 këtë vit në 3.4 në vitin e ardhshëm. Nëse shikojmë performancën relative të Kosovës, ne evidentojmë se Kosova pritet të ketë rritje më të madhe dhe ka pasur edhe ritme më të larta të rritjes në rajon. Sipas Bankës Botërore, Kosova pritet të ketë normën më të lartë të rritjes ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si këtë vit ashtu edhe vitin e ardhshëm. Edhe projeksionet e Fondit Monetar e pozicionojnë Kosovën ndër ekonomitë me performancën më të mirë. Megjithatë, duhet pasur parasysh sigurisht bazën prej ku fillojmë”, prezantoi ai.
Hashani prezantoi edhe projeksionet e Institutit Riinvest për rritjen ekonomike të Kosovës, të cilat parashohin rritje reale prej 3.5 për qind këtë vit dhe 3.7 për qind vitin e ardhshëm.
“Sa i përket parashikimeve për Kosovën, në këtë tabelë ne i kemi përmbledhur projeksionet e institucioneve që bëjnë projeksione në lidhje me rritjen ekonomike të vendeve të ndryshme, përfshirë edhe Kosovën. Sigurisht se në rreshtin e fundit është edhe projeksioni i Institutit Riinvest duke përdorur modelin e vet makroekonomik, i cili parasheh që rritja reale ekonomike në Kosovë këtë vit të jetë 3.5%, ndërsa vitin vijues 3.7%. Modeli ynë mbështetet me metodologji të ngjashme me atë të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Parashikimet tona janë edhe ashtu të përafërta me vendet e tjera, sigurisht pak më konservatore sesa pritjet për vitin e ardhshëm që janë të paraqitura në projektbuxhetin e Ministrisë së Financave”, u shpreh Hashani.
Një nga çështjet kryesore të trajtuara në raport ishte inflacioni, i cili, sipas Hashanit, vazhdon të mbetet i lartë. Në tetor, norma vjetore e inflacionit arriti në 7.1 për qind, ndërsa për vitin e ardhshëm Banka Qendrore e Kosovës parashikon një normë rreth 4.5 për qind.
“Në vazhdim, më lejoni të flas pak për një nga zhvillimet më shqetësuese të këtij tregu. Ky është inflacioni. Pra inflacioni mbetet i lartë, në tetor norma vjetore e inflacionit arriti në 7.1%. Për vitin e ardhshëm Banka Qendrore e Kosovës parashikon një normë rreth 4.5%, që mbetet tre herë më e lartë sesa parashikimet e Fondit Monetar për gjithë rajonin, të cilat sillen diku ndërmjet 3 dhe 3.6%”, thotë ai.
Ai tha se varësia e lartë nga importet dhe problemet në sektorin e energjisë e bëjnë ekonominë e Kosovës të ekspozuar ndaj goditjeve inflacioniste. Sipas tij, inflacioni ndikon si në fuqinë blerëse të qytetarëve, ashtu edhe në kostot dhe konkurrueshmërinë e bizneseve.
“Natyrisht se një pjesë e këtyre presioneve vjen nga jashtë. Përvarësia e lartë nga importet dhe problemet e sektorit të energjisë e bëjnë ekonominë tonë veçanërisht të ekspozuar ndaj këtyre goditjeve inflacioniste. Inflacioni ndikon pra jo vetëm në fuqinë blerëse të qytetarëve, por edhe në kostot operative, që nënkupton në konkurrueshmërinë e bizneseve tona. Duhet pasur gjithashtu parasysh se ngadalësimi i inflacionit nuk nënkupton ulje të çmimeve, por thjesht ngadalësim të ritmit të rritjes së tyre”, thekson Hashani.
Sa i përket sektorit të jashtëm, Hashani vlerësoi si zhvillim pozitiv rritjen e eksporteve të mallrave për 22.4 për qind deri në fund të shtatorit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo ka ndikuar edhe në përmirësimin e mbulimit të importeve me eksporte nga 12 në 13.7 për qind.
“Një sinjal pozitiv është në sektorin e jashtëm. Pra eksportet e mallrave janë rritur për 22.4% deri në fund të shtatorit krahasuar me vitin paraprak, duke e përmirësuar shkallën e mbulimit të importeve me eksport nga 12 në 13.7%. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre eksporteve prapë mbeten metalet bazë dhe mineralet, edhe pse kemi një diversifikim më të madh të produkteve që eksportohen”, u shpreh ai.
Ai foli edhe për rritjen e investimeve të huaja, por theksoi se struktura e tyre vazhdon të jetë e përqendruar kryesisht në patundshmëri.
“Në anën tjetër, investimet e jashtme gjithashtu janë rritur, gjë që është pozitive. Megjithatë, struktura mbetet e ngjashme si e viteve të kaluara: diku dy të tretat e investimeve vazhdojnë të orientohen drejt patundshmërive, të cilat i kemi parasysh implikimet që i kanë në vetvete”, thotë ai.
Duke folur për financimin e bizneseve, Hashani bëri të ditur se kreditë janë rritur për 12.9 për qind, ndërsa depozitat për 14.2 për qind. Ndërkohë, normat mesatare të kredive kanë arritur në 6.9 për qind.
“Sa i përket financimit, vërejmë një ngadalësim të ritmit të rritjes së kreditimit. Kreditë janë rritur për 12.9% në krahasim me depozitat prej 14.2%. Këto zhvillime ndodhin në kushtet kur normat mesatare të kredive janë rritur në 6.9%. Nga perspektiva zhvillimore, kjo sigurisht se është e rëndësishme dhe prodhon edhe sugjerime për politikat publike, për arsye se kjo ndikon edhe strukturën e investimit të bizneseve”, u shpreh Hashani.
Hashani iu referua edhe një studimi të realizuar nga Instituti Riinvest para dy vitesh, i cili kishte analizuar strukturën e investimeve të bizneseve. Sipas tij, kërkesat e larta për kolateral po ndikojnë që shumë firma të orientohen më shumë drejt ndërtesave dhe patundshmërive, në vend të investimeve produktive.
“Në studimin që e kemi bërë para dy viteve për me analizuar në mënyrë më të detajuar strukturën e investimeve, ne kemi evidentuar që shumë firma, për shkak të nivelit të lartë të kolateralit që kërkohet për investime, investojnë disproporcionalisht më shumë në ndërtesa dhe patundshmëri, gjë që janë investime praktikisht jo produktive”, tha tutje Hashani.






















