Jorna: Investoni në Ballkanin Perëndimor, të krijojmë hapësirë të përbashkët industriale
ATSH
Drejtorja e Përgjithshme e DG GROW në Komisionin Evropian, Kerstin Jorna, deklaroi sot se Ballkani Perëndimor përfaqëson një mundësi strategjike për investimet dhe rritjen ekonomike evropiane, duke theksuar rëndësinë e integrimit gradual të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së.
Gjatë fjalës së saj në konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, “A New Investment Frontier”, që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Jorna u bëri thirrje investitorëve dhe bizneseve të shfrytëzojnë potencialin e rajonit.
“Ne duam që paratë tuaja të punojnë këtu, në Shqipëri. Koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani”, u shpreh Jorna, duke nënvizuar se rajoni është një hapësirë ku mund të ndërtohet vala e ardhshme e rritjes ekonomike evropiane.
Duke iu referuar zhvillimeve ekonomike dhe tregtare në nivel global, ajo tha se në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar, madhësia dhe bashkëpunimi marrin rëndësi të veçantë. Sipas saj, Bashkimi Evropian ka nevojë për zinxhirë furnizimi më të fuqishëm dhe tregje të integruara, për të përballuar konkurrencën globale.
Jorna e cilësoi zgjerimin e BE-së si një prioritet dhe zgjedhje strategjike, në interesin e përbashkët të vendeve anëtare dhe atyre që synojnë anëtarësimin.
Ajo solli në vëmendje përvojën e zgjerimit të vitit 2004, duke theksuar se që prej asaj kohe ekonomia e Bashkimit Evropian është rritur me 27%, ndërsa vendet që janë anëtarësuar në BE që nga viti 2000 janë bërë rreth një të tretën më të pasura krahasuar me periudhën përpara anëtarësimit.
Sipas saj, ky zhvillim lidhet me rritjen e produktivitetit dhe konkurrencës, ndërsa procesi i zgjerimit përbën një mundësi për forcimin e mëtejshëm të ekonomisë evropiane.
“Bashkimi Evropian është partneri juaj tregtar, investitori juaj dhe asistenti juaj financiar”, deklaroi Jorna, duke vënë në dukje se tregtia me Ballkanin Perëndimor është rritur me 5% në vitin 2025.
Ajo theksoi gjithashtu se investimet e drejtpërdrejta të BE-së në rajon kanë arritur në rreth 40 miliardë euro deri në vitin 2024, duke i cilësuar ato si një tregues të besimit të Evropës te potenciali ekonomik i Ballkanit Perëndimor.
Duke folur për mbështetjen ndaj bizneseve, Jorna nënvizoi rëndësinë e aksesit në kapital, energji, teknologji dhe tregje, si dhe të krijimit të kushteve për zgjerimin e ndërmarrjeve dhe forcimin e konkurrueshmërisë.
“Qeveritë bëjnë reforma, por jeni ju, bizneset, që i ktheni këto reforma në vende pune dhe në mundësi konkrete”, u shpreh ajo.
Në këtë kuadër, Jorna vuri theksin te integrimi gradual i vendeve të rajonit në tregun e përbashkët evropian, duke e përshkruar këtë proces si një rrugëtim që duhet të zhvillohet hap pas hapi, standard pas standardi dhe sektor pas sektori.
Duke iu referuar shprehjes shqipe “avash-avash”, ajo tha se integrimi gradual nuk nënkupton ecje të ngadaltë, por përparim të qëndrueshëm dhe me hapa të qartë, që sjell përfitime konkrete për bizneset dhe ekonomitë e rajonit.
Jorna bëri të ditur se Komisioni Evropian po punon për mundësi të reja integrimi në sektorë të rëndësishëm ekonomikë, duke përmendur krijimin e lehtësirave tregtare dhe përafrimin e rregullave, me qëllim që kompanitë të mund të eksportojnë dhe të transportojnë mallra drejt tregut të BE-së pa kontrolle të mëtejshme, në përputhje me standardet përkatëse.
Ajo përmendi gjithashtu diskutimet për kuadrin ligjor dhe mundësitë e bashkëpunimit në sektorë si elektronika, duke theksuar se angazhimi i bizneseve mund të përshpejtojë këtë proces.
Sipas saj, produktet e kompanive të rajonit duhet të testohen dhe certifikohen sipas standardeve të BE-së, në mënyrë që të mund të tregtohen në tregun evropian pa procedura dhe kontrolle të përsëritura.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm, sipas Jorna-s, është ndërtimi i një hapësire të përbashkët industriale evropiane, ku ndërmarrjet e rajonit të jenë pjesë e zinxhirëve të furnizimit dhe të bashkëpunojnë me partnerë në të gjithë Evropën.
“Le të ndërtojmë së bashku këtë fabrikë të përbashkët industriale”, u shpreh ajo, duke nënvizuar se edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duhet të përfitojnë nga mundësitë e reja të integrimit dhe zgjerimit të tregjeve.
Në përfundim, Jorna theksoi rëndësinë e krijimit të partneriteteve të reja përmes takimeve të drejtpërdrejta mes bizneseve (B2B), të cilat mund të ndihmojnë në forcimin e zinxhirëve të furnizimit dhe lidhjen e kompanive të Ballkanit Perëndimor me tregun evropian.
“Kufijtë nuk janë aty ku mbaron Evropa, por aty ku rritet Evropa”, tha në mesazhin saj Jorna, e cila vuri theksin tek perspektiva e bashkëpunimit dhe integrimit ekonomik të rajonit.
Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, “A New Investment Frontier”, mbledh në Tiranë përfaqësues të institucioneve evropiane, qeverive të rajonit, institucioneve financiare ndërkombëtare, investitorë dhe drejtues të sektorit privat, me synimin për të nxitur investimet, forcimin e konkurrueshmërisë dhe përshpejtimin e integrimit ekonomik evropian.






















