U mbajt edicioni i pestë i Manifestimit letrar “Adem Demaçi”
E.Hoti/RTKlive
Në Galerinë e Arteve në Podujevë u mbajt edicioni i pestë i Manifestimit letrar që mban emrin e veprimtarit të çështjes kombëtare, intelektualit e shkrimtarit, Adem Demaçi.
Në këtë manifestim, që u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve “Fjala”, mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi.
Duke vlerësuar figurën e Adem Demaçit, kryetari Bulliqi tha se Demaçi nuk njihet vetëm për rezistencën dhe pathyeshmërinë e tij, gjë që edhe këtë e dëshmoi në ato 28 vjet të qëndrimit nëpër burgjet e ish-regjimit serb, por ai para së gjithash ishte njeri i penës, i mendimit e një intelektual prej së vërteti.
Bulliqi theksoi se me romanin “Gjarpërinjtë e gjakut”, Adem Demaçi dëshmoi se fjala e shkruar ka fuqinë të zgjojë ndërgjegjen e popullit dhe të sfidojë padrejtësitë.
Kryetari i Komunës përgëzoi organizatorin për këtë manifestim që mban gjallë kujtimin për njeriun që është sinonim i sakrificës për kombin e lirinë dhe njeriun e penës me vlera të larta njerëzore.
Gjatë këtij manifestimi u bë edhe përurimi i librit “Zgavrat e Zhymta” të poetit Shaip Beiqiri.
Për krijimtarinë letrare dhe për vlerat e librit të ri të Beqirit folën Ibrahim Berisha, Imer Topanica e Valdet Berisha.
Para se të fillonte Ora e madhe letrare e manifestimit, Shaip Beqirit iu dha çmimi “Adem Demaçi”.
Vetë poeti Beqiri në vend të fjalimit lexoi tri poezi të tij kushtuar tre personaliteteve të kësaj treve, Adem Demaçit, Kadri Kadriut e Xhemajl Mustafës.
Për orën letrare kishin konkurruar 70 poetë, ndërsa juria i kishte përzgjedh 30 poezi. Vendi i parë i takoi Migena Arllatit me poezinë “Viti u plak”, vendi i dytë Vlora Pozhani – Tolajt me poezinë “Ti je e sotmja jeme”, ndërsa vendi i tretë Shaban Pllanës me poezinë “Eklips”.






















