Rogova-Gaxha: Biblioteka Kombëtare po zgjeron qasjen në koleksionet e saj
K. K. / RTKlive
Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka rifunksionalizuar sallën e madhe të leximit, duke e shndërruar atë në një hapësirë të re për aktivitete letrare e kulturore dhe për qasje më të lehtë në botime të gjuhëve të huaja.
Hapësira, e cila për vite kishte qenë e mbyllur dhe ishte shfrytëzuar si magazinë, tashmë synon të shërbejë si pikë takimi për lexuesit, studentët dhe studiuesit, si dhe për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova-Gaxha, ka njoftuar për RTK se salla është pastruar dhe rifunksionalizuar për t'u shfrytëzuar si nga vetë institucioni, ashtu edhe nga institucionet e tjera që organizojnë aktivitete letrare e kulturore.
Një nga risitë e kësaj hapësire është këndi i veçantë i librave në gjuhën italiane, i cili është pasuruar me një donacion prej 132 titujsh nga bibliotekat publike të Torinos, me nismën e Ambasadës Italiane në Kosovë. Donacioni përfshin 66 tituj të letërsisë artistike dhe 66 botime të tjera nga fushat humane dhe kultura italiane.
Sipas drejtoreshës së Departamentit për Zhvillimin dhe Përpunimin e Koleksioneve, Shqipe Canolli, ky donacion është me rëndësi për pasurimin e fondit bibliotekar, duke qenë se biblioteka deri më tani nuk ka pasur shumë tituj të letërsisë italiane.
Ajo ka theksuar se synimi është që kjo sallë të pasurohet edhe me koleksione të tjera në gjuhë të huaja, kryesisht në gjuhën angleze, për t'u ofruar të rinjve dhe studiuesve qasje në letërsinë bashkëkohore dhe botimet e fundit.
Përveç këndit italian dhe koleksionit në gjuhën angleze, në sallë është krijuar edhe një kënd i dedikuar për letërsinë për fëmijë, ku janë vendosur botime të Rilindjes dhe tituj të letërsisë bashkëkohore për grupmoshat e reja.
Rogova-Gaxha ka bërë të ditur se projekti ende nuk është përfunduar plotësisht, por pritjet janë që salla të kompletohet sipas konceptit të paraparë deri në fillim të vitit të ardhshëm.
Përmes kësaj hapësire, Biblioteka Kombëtare synon të afrojë më shumë lexuesit me librin, të nxisë interesimin për lexim dhe të krijojë mundësi për njohjen e letërsive dhe kulturave të ndryshme botërore.






















