Figura e Marie Shllakut vjen përmes ekspozitës “Gjurmët e historisë dhe kujtesës”
Lumira Kelmendi/RTK
Tetëdhjetë vjet pas pushkatimit të tyre, dokumentet vazhdojnë të flasin. Ato dëshmojnë për një periudhë, për idealet dhe sakrificat e katër personaliteteve: Marie Shllakut, At Bernard Llupit, Kolë Parubit dhe Gjergj Martinit. Është ekspozita dokumentare “Në gjurmët e historisë dhe kujtesës” që sjell para publikut dëshmi historike, dokumente arkivore dhe fotografi, duke rikthyer në vëmendje jetën, veprimtarinë dhe sakrificën e këtyre figurave, të cilat me përkushtimin dhe idealet e tyre i shërbyen atdheut dhe dhanë jetën për çështjen kombëtare. Kjo ngjarje është organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit kulturor me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.
Zëvendësdrejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Mehmed Xhemajli, duke theksuar rëndësinë e përkujtimit të këtyre figurave dhe ruajtjes së kujtesës historike kombëtare, u shpreh se: “Kjo është një tjetër dëshmi e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve arkivore, duke kontribuar në ruajtjen e historisë përmes dokumenteve arkivore dhe përcjelljen e kujtesës kombëtare te brezat e ardhshëm”.
Përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Endrit Pollo, tha se: “Emrat e katër martirëve shkodranë, Marie Shllaku, At Bernard Llupi, Kolë Parubi dhe Gjergj Martini, kanë mbetur gjallë në kujtesën e kombit shqiptar. Shkodra i lindi, ndërsa Kosova i bëri të pavdekshëm. Katër jetë, katër fate njerëzore dhe një kapitull historie që nuk duhet të harrohet”.
Ekspozita paraqet para publikut dëshmi autentike dhe synon të nxisë interesimin për hulumtimin e së kaluarës dhe të theksojë rëndësinë e mbështetjes së historisë në dokumente arkivore.
Habibe Qovanaj nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës tregoi se në këtë institucion ofrohet edhe realizimi i punës praktike për nxënësit që u përkasin profileve të caktuara të arkivit.
Ajo shtoi se: “Interesimi për dokumentet arkivore po rritet çdo ditë e më shumë prej gjeneratave të reja”.
Kjo ngjarje, e cila u hap me vargjet e poemës “Drenica” përmes recitimit poetik nga aktori Basri Lushtaku, është organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe vjen në kuadër të aktiviteteve të Javës Kulturore Kosovë–Shqipëri, për nder të 28 Nëntorit, Festës së Flamurit. 






















