Kusari-Lila: Industria e drurit dëshmon potencialin e prodhimit vendor
G.K/RTKlive
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, në Konventën e 9-të të Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës, ka theksuar zhvillimin e këtij sektori, potencialin e prodhimit vendor dhe mundësitë për zgjerimin e bizneseve në tregjet ndërkombëtare.
Kusari-Lila ka bërë të ditur se, sipas të dhënave të vitit 2025, në sektorin e prodhimit të drurit operojnë 519 ndërmarrje me rreth 2,814 të punësuar dhe mbi 121 milionë euro qarkullim, ndërsa në prodhimin e mobilieve operojnë 823 ndërmarrje me rreth 5,600 të punësuar.
“Ky transformim është rezultat i guximit, investimeve dhe përkushtimit të ndërmarrësve tanë”, ka thënë Kusari-Lila.
Sipas saj, hapi i radhës është forcimi i konkurrueshmërisë përmes certifikimit të pyjeve, gjurmueshmërisë së lëndës së parë, investimeve në teknologji, aftësimit profesional dhe prodhimit të qëndrueshëm.
Ajo ka theksuar se Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me shtetet e EFTA-s dhe instrumentet për mbështetjen e prodhimit të mençur dhe industrisë së gjelbër hapin mundësi të reja për zgjerimin e bizneseve në tregjet evropiane.
“Si Ministri, mbetemi partnere e kësaj industrie me një synim të qartë: më shumë prodhim vendor, më shumë eksporte dhe produkte të Kosovës që dallohen për cilësi, dizajn dhe inovacion”, ka deklaruar Kusari-Lila.






















