Revitalizimi i rrugës “Marin Barleti” i hapë rrugë investimeve
BKT
Kosovë

Revitalizimi i rrugës “Marin Barleti” i hapë rrugë investimeve

Sot u prezantua projekti “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren”. Ky projekt, që është iniciuar që nga viti 2017, është koordinuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe organizata “EC Ma Ndryshe”.

Rruga “Marin Barleti” gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit dhe ndanë qendrën e qytetit me zonën e banimit. Kjo rrugë përmban vlera të rëndësishme kulturore dhe e veçanta e saj është kompleksi arkitektonik në varg, por i cili është shumë i dëmtuar në aspektin fizik.

Në këtë prezantim që u mbajt në Doku Kino mori pjesë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, zv.udhëheqësi për bashkëpunim në Zyrën e BE-së, Libor Chlad dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi deklaroi se ky është një nga projektet më të mëdha të fushës së trashëgimisë kulturore në Prizren. Ai tha se kishte ardhur koha që të veprohej në realizimin e këtij projekti i cili sipas tij nuk do të jetë i fundit për Qendrën Historike të Prizrenit pasi do të vijojë ta mbështesë atë në aspektin ligjor, profesional dhe buxhetor.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur por edhe i bindur që sot është hapi i parë i realizimit të këtij projekti që do të jetë një prej projekteve më të mëdha në fushën e trashëgimisë kulturore, por natyrisht edhe më i bukuri i cili do ta kthejë një identitet të ri qytetit të Prizrenit, të pjesës historike të Prizrenit, është e vërtetë se shumëçka dhe shpesh flitet për qendrën historike por janë momentet dhe koha që bashkërisht të veprojmë”, deklaroi Gashi.

Ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, në fjalën e tij tha se ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, por mund të vendosim se si mund të duket e ardhmja. Ai tha se institucionet lokale, qendrore dhe ato ndërkombëtare janë bashkuar në këtë projekt që synon të riparojë dëmet e së kaluarës.

Ndërsa, zv.udhëheqësi për bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian, Libor Chlad, lavdëroi bashkëpunimin e institucioneve dhe të atë të zyrës që përfaqëson me shoqërinë civile. Ai tha se këto bashkëpunime kanë sjellë shumë fryte në fushën e kulturës edhe në të kaluarën në Prizren, ndërsa uroi që ngjashëm të ndodhë edhe kësaj here.

I lumtur për projektin “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’” u shpreh dhe kreu i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. Ai deklaroi se Prizreni dallohet pikërisht për trashëgiminë kulturore, jo vetëm në aspektin e objekteve, por edhe në atë shpirtëror.

Projekti “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren” është financuar nga Ministria e Kulturës, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe është mbështetur nga Komuna e Prizrenit.

Projekti do të ndikojë në krijimin e kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal në të gjithë Qendrën Historike të Prizrenit. Ai është i ndarë në dy komponentë, atë të konservimit dhe të zhvillimit, ndërsa u tha se do t’i hapë rrugë investimeve të reja.


MË SHUME NGA Kosovë