Bizneset i kërkojnë Komunës që e diela të jetë ditë pushimi
BKT
Kosovë

Bizneset i kërkojnë Komunës që e diela të jetë ditë pushimi

Pajtim Çuni

Në mungesë të rregullimit ligjor e mos zbatimit të Ligjit të Punës, punëtorët kosovarë, po detyrohen të punojnë edhe gjatë fundjavave. Përveç punëtorëve, edhe drejtues të bizneseve po ankohen se në mungesë të rregullimit adekuat, po detyrohen të punojnë pa ndërprerë. Së fundmi rreth 100 biznese ferizajase kanë kërkuar nga Komuna e Ferizajt që e diela të jetë ditë pushimi. Njëvendim për këtë, kjo komunë pritet ta marrë së shpejti thonë zyrtar të kësaj komune.

Është e diel dhe do të duhej të ishte ditë pushimi. Por, edhe përkundër kësaj, janë të pakta bizneset që nuk punojnë sot, në Ferizaj e gjithandej Kosovës. E që e diela të jetë ditë pushimi, javë më parë, rreth 100 biznese ferizajase dorëzuar një peticion në adresë të komunës së Ferizajt.

Albion Sherifi, këshilltar për media i kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, tha për Radio Kosovën se, peticioni i bizneseve që kërkojnë që të dielen mos të punohet, por të pushohet, tashmë është shqyrtuar. Sipas tij, Feriazaj së shpejti do të vendos që e diela të jetë ditë pushimi.

”Ky peticion ka derivuar edhe hartimin e një rregulloreje të re, me të cilën përfundimisht do të zgjidhet ky problem. Qasja e qeverisjes lokale është që dita e diel të jetë ditë pushimi, në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve, respektim të kontratave të punës dhe  mbrojtje të familjes. Kjo rregullore në seancën e muajit prill do të shqyrtohet në Kuvend dhe pasi të merr dritën jeshile do të vendoset në diskutim publik për plotësim ndryshimet eventuale”, tha ai.

Sherifi tha për radion tonë se, Komuna e Ferizajt është pro bizneseve dhe se vendimin për të dielen ditë pushimi, po e marrin me kërkesë të vetë bizneseve dhe në të mirë të punëtorëve.

Ai shton se, me rregulloren që do të shqyrtohet më 30 prill, mbi përcaktimin e orarit të punës, është paraparë që marketet dhe bisneset e mëdha mos të punojnë. Por, jo të gjitha bizneset nuk do të punojnë. Do të ketë të atilla që do të punojnë.  

 “Bizneset tjera, si përshembull: furrat, farmacitë, pompat e derivateve të nëftës, e disa të tjera, do të lehohen të punojnë. Natyrisht, në kuadër të rregullorës do të ketë edhe leje të veçanta për punë, varësisht nga fusha në të cilën vepron biznesi”, tha Sherifi.

Komuna e Ferizajt, nëse vendos për të dielen ditë pushimi, do të bëhet e dyta në Kosovë, pas asaj të Mitrovicës, që udhëheqet nga Agim Bahtiri që ndalon punën të dielave dhe rregullon orarin e punës.


MË SHUME NGA Kosovë