Avdullah Hoti zgjedhet kryetar i degës së LDK-së në Rahovec
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, është zgjedhur kryetar i degës në vendlindjen e tij, Rahovec.
Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook ku ka falënderuar anëtarët e partisë për besimin e dhënë.
“Jam i bindur se Dega e LDK-së në Rahovec ka potencial të madh. E kam vërejtur tek qindra qytetarë që kam takuar gjatë zgjedhjeve nëpër 39 nëndegët e LDK-së në Rahovec në muajin e fundit”.
“LDK-ja e ka qartësuar vizionin e saj për qeverisjen e ardhshme. Dhe ne në Rahovec e kemi shumë të lehtë për të kërkuar mbështetjen e qytetarëve”.
“Tash na presin shumë punë. Besimi i qytetarëve në LDK në mbarë Kosovën po forcohet çdo ditë. Kjo është përgjegjësi për ne, për LDK-në si partia më e vjetër në Kosovë që ka vënë themelet e shtetit të Kosovës. Duhet të përgatitemi për të marrë përsipër sfidat e forcimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës”.
Hoti ka ftuar të gjithë anëtarët e LDK-së për të punuar dhe forcuar LDK-në në Rahovec.























