Përkujtohen heronjtë Sokol Preteni, Qazim Cimili dhe Esat Meholli
BKT
Kosovë

Përkujtohen heronjtë Sokol Preteni, Qazim Cimili dhe Esat Meholli

Sot 20 vite më parë në betejën e lavdishme 39 ditëshe të Melenicës, ranë për të mos vdekur kurrë Sokol Preteni, Qazim Cimili dhe Esat Meholli. Ata me luftën e tyre deri në vetëflijim, në historinë tonë kombëtare skalitën me shkronja të arta një kapitull që më vonë do të quhej ‘Epopeja e Melenicës’.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, përpara sallës të mbushur përplot me publik, gjatë akademisë përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies së këtyre tre heronjëve të kombit. 

Në këtë akademi e cila u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri , në bashkëpunim me Shoqatat e Dalura nga Lufta e UÇK-së, përveç familjarëve morën pjesë edhe përfaqësues institucionalë, të shoqatave të luftës, bashkëluftëtarë, si dhe shumë qytetarë tjerë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka potencuar se qytetarët e Kosovës pa dallim, duke përfshirë edhe përfaqësuesit institucionalë, duhet nderuar e respektuar sot sakrificën dhe vizionin e të gjithë atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit.

Rafet Ibishi, kryetar i OVL-së së UÇK-së në Mitrovicë, ka falënderuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin tha se me shpalljen e nëntë dëshmorëve të zonës së Shalës me titullin hero, i ka bërë nder të madh shoqatave të luftës të kësaj ane.

Ndërkaq, Nysret Pllana, autor i dokumentarit kushtuar këtyre tre heronjve, u shpreh i emocionuar, duke thënë se vetëm gjatë punës së tij në lidhje me dokumentarin ka kuptuar për trimërinë e vërtetë të këtyre heronjve.

Ai shprehu keqardhje që një gjë të tillë nuk e ka bërë shumë më herët.

Në anën tjetër, Musa Preteni, duke folur në emër të familjarëve të heronjve, potencoi se pikërisht në këtë orë para 20 vitesh, Sokol Preteni, Qazim Cimili dhe Esat Meholli, së bashku me shumë shokë, po bënin luftën më të ashpër frontale që njeh Shala e Bajgorës.

Sipas tij, ata po luftonin për një qëllim, për vlerën më të lartë që ka njohur bota perëndimore, të  quajtur liri, të cilën po e gëzojnë sot qytetarët e vendit.

Ai ka bërë të ditur se mbi supet e familjarëve të heronjve qëndron pesha e dhimbjes, por edhe krenarisë së madhe.

Në emër të familjarëve foli edhe Safete Cimili, e cila veç tjerash, falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre.

Ndryshe, gjatë kësaj akademie u shfaq edhe një film dokumentar i titulluar “Dëshmorët që janë përjetësia e Epopesë së Melenicës”, ndërsa u kënduan edhe këngë kushtuar këtyre tre heronjëve.


MË SHUME NGA Kosovë