Qyteti i Mitrovicës së shpejti do të pajiset me semaforë të rinj
Drita Vitia
Komuna e Mitrovicës gjatë vitit 2019 projektin më të madh në infrastrukturë e ka paraparë vendosjen e semaforëve në qytet.
Drejtori i Infrastrukturës në këtë qytet, Naser Muja, tha për Radio Kosovën se fillimisht janë paraparë tri pika të semaforëve për t’u zgjeruar më vonë, derisa i gjithë projekti pritet të kushtojë 170 mijë euro.
Qyteti i Mitrovicës së shpejti pritet të pajiset me semaforë të rinj në tri pikat më kryesore.
Drejtori i Infrastrukturës në këtë komunë, Naser Muja, tha se projekti i vendosjes së semaforëve është projekti më i madh që komuna e ka parapara këtë vit në infrastrukturë, që pritet të kapë vlerën e 170 mijë eurove.
Implementimi i projektit, sipas Mujës, pritet të fillojë brenda pak ditësh.
“Një ndër projektet më me rëndësi në qytet tani është vendosja e semaforëve. Kanë qenë disa semaforë të vjetruar. Ka qenë shumë e nevojshme. Janë tri pika në fillim dhe në të ardhmen besoj se do të vendosen edhe në pika të tjera, sipas nevojës”, tha Muja.
Muja tha se implementimi i këtij projekti të rëndësisë së veçantë për komunikacionin rrugor në këtë qytet, fillon këtë vit por do të vazhdojë edhe në vitin tjetër.
“Projekti në total është 170 mijë euro. Për këtë vit janë 90 mijë euro të parapara, ndërsa vitet e tjera është projekt që do të bëhet vendosja e semaforëve, por në të njëjtën kohë kompania që e ka fituar tenderin do ta bëjë edhe mbikëqyrjen brenda tri viteve. Nuk do të ketë mjete shtesë gjatë mbikëqyrjes së këtij projekti”, shtoi Muja.
Në qytetin e Mitrovicës aktualisht ndodhen tri pika të semaforëve, por që janë jashtë funksionimit.























