Nis ndërtimi i sallës sportive në shkollën ‘Hasan Prishtina’ në Milloshevë
BKT
Kosovë

Nis ndërtimi i sallës sportive në shkollën ‘Hasan Prishtina’ në Milloshevë

Komuna e Obiliqit në vazhdën e projekteve të planifikuara, është duke realizuar infrastrukturën shkollore, projekte këto që kanë një rendësi të veçantë në mbarëvajtjen e procesit mësimor për nxënësit e mësimdhënësit e shkollave të kësaj komune.

Pas vënies së gurthemelit të sallës sportive, gjatë ditës së djeshme, për dy shkollat e mesme në Obiliq, kryetari i kësaj komune Xhafer Gashi me bashkëpunëtorë  sot ka përuruar nisjen e punimeve për një tjetër sallë sportive.

Është kjo shkolla e mesme e ulët ‘Hasan Prishtina’ në Milloshevë e cila vitin e ri akademik do ta presë me sallë të re të Edukatës fizike.

Të paktën kështu ka deklaruar kryetari Xhafer Gashi, i cili bëri të ditur se vlera buxhetore e kësaj salle është 244 mijë euro. Ai para nxënësve dhe mësimdhënësve ë kësaj shkolle tha se janë me fat që komuna e Obiliqit tashmë është ndër komunat më të pasura në rajon.

“Sot jemi këtu sepse duke u bazuar në suksesin që ju e keni po mundohemi në vazhdimësi të ua plotësojmë me infrastrukturën shkollore që ju e keni të nevojshme. Është fat i mirë që tanimë komuna e Obiliqit është ndër komunat më të pasura në regjion dhe  patjetër  që është komuna më e pasur në Kosovë në aspektin buxhetor.  Është kënaqësi që këtu do të ndërtohet një sallë e Edukatës Fizike e cila do ti mbulojë mjaftueshëm nevojat dhe kërkesat e juaja që të zhvilloni edhe pjesën e edukatës fizike. Është projekt me vlerë 244 mijë euro me sipërfaqe 650 metra katrorë dhe plani dinamik është për 150 ditë”, tha Gashi.

Gashi bëri të ditur se komuna e Obiliqit ka planifikuar që këtë vit të realizojë 246 projekte dhe se kjo u është mundësuar nga qeveria aktuale e cila filloi implementimin e buxhetit për Ligjin e Obiliqit.

Është një nga projektet në vazhdimësi që komuna jonë ka filluar ti realizojë këtë vit. I jemi mirënjohës në këtë rast qeverise Haradinaj me fillimin e implementimin të buxhetit për Ligjin e Obiliqit dhe kjo na ka mundësuar që ti kemi 246 projekte të planifikuara për këtë vit”, tha Gashi.

Ndërsa drejtori i Arsimit në komunën e Obiliqit, Agim Spahiu, tha se falë përkushtimit të kryetarit po realizohen këto projekte. Ai tha se komuna do të jetë gjithnjë në shërbim të nxënësve, sepse sipas tij, ata janë truri dhe sytë e Kosovës.


MË SHUME NGA Kosovë