Lipjani e para në “Indeksin e Konkurrueshmërisë së Komunave”
BKT
Kosovë

Lipjani e para në “Indeksin e Konkurrueshmërisë së Komunave”

Lipjani, Rahoveci, Vitia, Juniku dhe Gjakova janë komunat që janë renditur më së miri në raportin e “Indeksit të Konkurrueshmërisë së Komunave” për performancën e qeverive lokale drejt krijimit të një mjedisi të shëndoshë afarist.

Në këtë indeks janë përfshirë anketa me 3350 biznese nga 38 komunat e Kosovës, ku hulumtimi është mundësuar nga USAID dhe është implementuar nga Instituti Riinvest.

Indeksi është një konstrukt i 8-të nën-indekseve të standardizuara që kanë matur dimensionet kyçe të ndikimit të qeverisjes lokale në mjedisin afarist.

Nën-indekset janë si barrierat e hyrjes në biznes, transparenca, pjesëmarrjen dhe parashikueshmërinë, kostot kohore, taksat dhe tarifat, administratën komunale, fuqinë punëtore dhe shërbimet  mbështetëse për bizneset, si dhe infrastruktura.

Sipas raportit, komunat me performancën më të mirë 2019, në masë të madhe janë gjithashtu ato që kanë performuar më së miri në 2018, me përjashtim të Prishtinës, e cila ka rënë për 5 vende.

Një rënie e konsiderueshme të rezultatit ka pasur nën-indeksi i barrierave të hyrjes, megjithëse ende mbetet një nga treguesit me renditjen më të mirë. Nën-indeksi i vetëm ku ka pasur një përmirësim është ai i transparencës.

Sipas raportit nën-indeksi me rezultatin më të lartë sikurse në vitin 2018 mbetet kostoja kohore.  Ndërkaq, nën-indeksi i administratës komunale, ka performuar më keq me një rezultat mesatar kombëtar prej 3.5.

Raporti i Indeksit të Konkurrueshmërisë së Komunave është prezantuar nga Enisa Serhati nga Instituti Riinvest, e cila ka thënë se shumica prej indekseve kanë qëndruar në nivel të njëjtë ose kanë pasur rënie.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani, tha se Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për një politikë-bërje, e cila bazohet në evidencë dhe përdor këto rezultate për të përmirësuar më tej mjedisin biznesor në vend.

Hashani tha se në mënyrë që indeksi të reflektojë sa më mirë konkurrueshmërinë në kontekstin lokal i njëjti është kontekstualizuar për rrethanat e Kosovës.

Ndërkaq, drejtori i programit dhe Zyrës së Politikave në USAID, Paul Vaca, tha se ky raport do të jetë një ndihmesë për komunat që të dinë se cilat janë sfidat e bizneseve.

Ndërsa, drejtoresha për zhvillim të qëndrueshëm komunal në MAPL, Fetie Begolli, tha se ministria që e përfaqëson ka finalizuar një strategji të zhvillimit ekonomik lokal për 2019-2023 dhe se tani është filluar implementimi i planit të veprimit.

Ajo tha se vizioni i asaj strategjie është krijimi i një strategjie për zhvillim ekonomik lokal.

Lipjani është komuna me performancën më të mirë dhe kryetari i saj Imri Ahmeti, ka treguar se si kanë arritur të shënojnë këtë sukses. Ai tha se si komunë kanë shfrytëzuar raportet e viteve të kaluara për të shënuar rezultate më të mira.

Në 10 komunat me performancën më të mirë në “Indeksin e Konkurrueshmërisë së Komunave” janë Lipjani, Rahoveci, Vitia, Juniku, Gjakova, Hani i Elezit, Parteshi, Suhareka, Obiliqi dhe Podujeva.


MË SHUME NGA Kosovë