Qendra për gra në Fushë Kosovë mundësi për punësimin e tyre
Vaide Morina
Hapja e qendrës për gratë që humbën familjarët gjatë luftës në Komunën e Fushë Kosovës, mundëson rehabilitimin dhe punësimin e dhjetëra grave të traumatizuara nga tmerret e luftës. Sipas zyrtarëve të Shoqatës “Lidhja e invalidëve dhe viktimave civile në Kosovë”, përmes kësaj qendre gratë do të kenë mundësi që të shesin punimet e tyre të dorës.
Hapësira e objektit të Shoqatës “Lidhja e invalidëve të viktimave civile” në Fushë Kosovë, e dhuruar falas nga komuna, është një përkrahjeje e madhe për gratë të cilat kanë përjetuar tmerret e luftës në Kosovë. Njëra nga to tha për Radio Kosovën se përpos shoqërimit me njëra tjetrën, në këtë objekt do të kemi mundësi edhe t’i shesim punimet tona.
“Prej këtyre veshjeve këtu edhe komplet punën e dorës. Kanë përmbajtje si veshje kombëtare e Kosovës. Ka shitje si p.sh: Peja, Prishtina, Mitrovica, nuk bëjnë dallime, i marrin më së shumti kur kanë festa.
Ekrem Berjani, drejtor i Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Fushë Kosovës, shpjegon për rëndësinë e hapjes së objektit të kësaj shoqate.
“Këto gra, të cilat janë për t’u respektuar edhe për të nderuar vullnetin e tyre për punë, mund t’i prezantojnë punimet e tyre para publikut dhe ky mund të jetë një vend i mirë që këto t’i shesin produktet e tyre”, tha Berjani.
Ndërsa, mbështetje për këtë kategori ka dhënë edhe këshilltari i kryeministrit, Haki Shatri.
“Mendoj se puna e kësaj shoqate është e nevojshme,e jo vetëm në këtë vëllim, por të zgjerohet, sepse numri i këtyre personave që kanë kaluar vështirësitë e luftës dhe që kanë mbetur me pasoja, është shumë më i madh se sa këta që janë këtu prezentë. Por, shpresoj që në të ardhmen do të ketë një përkrahje më të madhe edhe nga qeveria qendrore edhe nga shoqëria jonë që t’u ndihmohet këtyre personave”, tha Shatri .
Kryetari i Shoqatës, Mustafë Prenkaj, thotë se aktivitetet e kësaj shoqate zhvillohen që nga viti 2000, mirëpo mundësia e zgjerimit edhe në Fushë Kosovë, është një mbështetje e madhe për këtë kategori të shoqërisë sonë.























