Sërish protestojnë pronarët e kiosqeve në Prishtinë
Pronarët e kiosqeve të Prishtinës për të dytën herë brenda javës i kanë zënë derën kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti. Ata dhe një herë kanë protestuar para objektit komunal kundër kritereve të vëna nga komuna, duke konsideruar se ato janë diskriminuese dhe të papërballueshme për ta.
Përfaqësuesi i protestuesve, Sadudin Ahmeti dhe një herë ka kërkuar nga asambleja komunale në Prishtinë që t’ia mundësojë përmes votës që kiosqet të qëndrojnë në pronësi të tyre.
Sipas tij, kryetari i komunës po mundohet të minimizojë problemin duke deklaruar se janë vetëm 11 kisoqe aktive. Për të janë mbi tridhjetë kiosqe me më shumë se 70 punëtorë që do të mbesin të papunë.
Protestuesi Ahmeti theksoi se me anë të këtij vendimi, po dëshirohet që t’iu merret prona të varfërve dhe t’iu jepet të pasurve.
Ndërsa theksoi se qarkullimi mujor i tyre është rreth 3000 mijë euro në muaj, e siç thotë ai është e pamundur të jetë nderi në 5 milionë euro ashtu siç ka kërkuar komuna.
Protestuesi tjetër, Arian Mustafa duke përmendur vendimin e komunës, tha se kjo do të krijojë papunësi sepse shumë familje do të mbesin në punë.
Ai drejtoi akuza ndaj organeve komunale. Sipas tij, ata po iu shërbejnë kompanive të mëdha në mënyrë që t’i financojnë partitë e tyre në kohë zgjedhjesh.
Protestuesit thanë se deri kur nuk merret një vendim që e anulon ankandin e komunës, ata do të vazhdojnë protestat paqësore.
Pasi përfundoi protesta, ata vazhduan në asamblenë komunale, ku është duke vazhduar diskutimi se a duhet të hyjë si pikë e veçantë në rend të ditës. Këtë e kërkuan dy partitë opozitare, LDK dhe VV-ja.























