QKMF-ja në Kaçanik me shërbime të digjitalizuara
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ( QKMF) " Dëshmoret e Lirisë" në Kaçanik, ka filluar së aplikuari Sistemin Informativ Shëndetësor ( SISH), projekt nga Ministria e Shëndetësisë.
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Diana Reka, vizitoi këtë qendër, për të parë nga afër fillimin e aplikimit të këtij sistemi, ndërsa uroi që gjithçka të shkoj mirë dhe sipas planifikimeve.
Drejtoresha tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm për sistemin shëndetësor në Kaçanik, i cili synon digjitalizimin e të gjitha shërbimeve duke filluar nga pranimi deri tek mjeku. Ndërkohë drejtori i QKMF-së Sinan Zeneli, u shpreh i kënaqur me ecurinë e këtij projekti, i cili do të krijoj një data bazë të të dhënave për të gjithë pacientët, përmes sistemit unifikues në tërë Kosovën, dhe njëkohësisht do të ulë koston e shpenzimeve sidomos tek materiali shpenzues.
Pacientët luten që me vete të marrin dokumentet identifikuese, ndërsa për fëmijët certifikatat e lindjes, për tu bërë pjesë e SISH-it. Paraprakisht stafi i QKMF-së është trajnuar për këtë sistem, ndërsa tani gjithçka është duke shkuar mirë me aplikimin e këtij sistemi në QKMF.























