Dështon kalimi i La Manshit me mjet fluturues
Novatori francez, Franky Zapata dështoi në përpjekjen e tij për të kaluar me një mjet fluturues Kanalin e La Manshit.
Ish-kampioni i skive shpresonte të kalonte nga veriu i Francës në Anglinë Jugore në vetëm 20 minuta. Por, 40-vjeçari u rrëzua në ujë në gjysmën e rrugës ndërsa përpiqej të furnizohej me karburant.
Sipas ekipit mbështetës, Zapata nuk u lëndua. Përpjekja e tij për të kaluar ngushticën erdhi në 110 vjetorin e fluturimit të parë në La Mansh në vitin 1909.
Zapata u nis nga një plazh pranë Kalesë. Ai synonte të ruante një shpejtësi prej 140km/h ndërsa udhëtonte 15-20 metra mbi ujë.
“Kemi krijuar një mënyrë të re për të fluturuar. Ne nuk përdorim krahë. Ti ndihesh si një zog, është trupi yt që fluturon. Është një ëndërr fëmijërie,” u tha ai gazetarëve përpara fluturimit, përcjell Rtsh.
Zapata paralajmëroi se era mund ta vështirësojë fluturimin e tij. Më herët ai zhvilloi një fluturim prove dhe mori vëmendje të konsiderueshme gjatë paradës me rastin e Ditës së Bastijes në Paris. Platforma e tij fluturuese ka pesë motorë të vegjël.























