Qytetarët e Prizrenit janë lodhur nga zhurma që bëhet në mbrëmje
BKT
Kosovë

Qytetarët e Prizrenit janë lodhur nga zhurma që bëhet në mbrëmje

Muharrem Saragjolli

Komuna e Prizrenit që udhëhiqet nga kryetari Mytaher Haskuka, nuk po iu del në ndihmë qytetarëve të vet të cilët kërkojnë të respektohet ligji për mbrojtjen nga zhurma.

Kështu mendojnë afro 200 qytetarë të cilët të lodhur nga niveli i lartë i muzikës së lokaleve natën, kanë nënshkruar peticionin online, për të kërkuar të ndërmerren masa. Komuna e Prizrenit dhe Policia thonë se do të veprojnë. 

“Qytetarët e Prizrenit janë lodhur nga zhurma që bëhet në mbrëmje sidomos gjatë verës, prandaj peticioni është pikërisht për të ndalur këtë dukuri që disa individë shqetësojnë shumë njerëz dhe krijojnë shqetësim të komunitetit që jeton përreth”! Kështu thuhet në tekstin e peticionit online i cili tashmë është nënshkruar nga afro 200 qytetarë. Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Lis Dorambari për Radio Kosovën ka thënë se bëhen inspektime të rregullta nga inspektorë kujdestarë dhe pajisje për matje të zërit.

“Një tjetër hap që ka ndërmarrë Komuna për parandalimin e zhurmës është edhe hartimi i Rregullores për Orarin e Punës të Subjekteve Afariste, Hoteliere, Zejtare dhe Shërbyese, me anë të së cilës do të caktohet orari i punës gjatë natës për zhvillim të veprimtarisë të kafiterive dhe me këtë rast edhe ta evitojë zhurmën që po krijohet. Kjo rregullore pritet së shpejti të hyjë në fuqi pasi të miratohet nga Kuvendi Komunal”, ka thënë Dorambari.

E zëdhënësi i policisë rajonale në Prizren, Shaban Osmanollaj, thotë se policia është e gatshme të veprojë nëse ka ankesa nga qytetarë.

“Deri tani nuk kemi pasur asnjë ankesë. E sa i përket peticionit online të qytetarëve edhe kjo na ka ardhur prej jush si informacion. Sidoqoftë ne do ta mirëpresim dhe do ta shqyrtojmë me korrektësi çdo adresë që na adresohet policisë në Prizren. Për çdo ankesë të lajmërojnë përmes numrave të policisë që janë edhe numra pa pagesë 192 apo të tjerë zyrtarë.”

Por qytetarët thonë se janë ankuar shpesh tek policia. Vetëm se e kanë ndalur muzikën 5 minuta dhe është vazhduar përsëri me zë edhe më të lartë. Prandaj befasohen me deklaratën e policisë se nuk lajmërohen.

“Qysh more nuk lajmërojmë, një kojshi lajmëron shpesh, ne gati çdo natë. Mua po më vjen marre bile, ma njohin zërin. Qysh jo more...”.  

Kështu thotë një çift i moshuar, piktori Zef dhe mësuesja Vaxhide Toci, të cilët i vizituam në orët e mbrëmjes tek shtëpia e tyre në Prizren, e që nga muzika e lartë kishim probleme për të dëgjuar njëri tjetrin.

“Ata ndoshta edhe janë mërzitë nga ne, po na bëjnë rrafsh. Po po tash vijnë, po na thonë. Prit se po vinë s’ka, prit s’ka. Po bëhet 12.30 prapë po i thërras, o a e dërguat atë patrullë më? Po po zonjë tash vjen se ku me ditë është tjetërkah, po thonë. Po pse a veç një patrullë është në tërë këtë qytet?”  

E sipas Ligjit për prishjen e rendit dhe të qetësisë publike, kushdo që shkakton zhurmë të padurueshme nga ora 22:00 e deri në orën 07:00 gjatë ditëve të javës dhe prej orës 23:00 e deri ne orën 07:00 të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje me gjobë deri në 700 euro. Kurse sipas Ligjit për zhurmën, gjoba e paraparë shkon deri në 10 mijë euro. As Komuna e Prizrenit e as Policia e Kosovës nuk konfirmuan se është gjobitur ndonjë biznes në Prizren pas ankesave nga qytetarë.

 

 

 

 


MË SHUME NGA Kosovë