Rrugët e Prishtinës përplot gropa, dëme dhe shumë shpenzime për drejtuesit
Rrugët e Prishtinës përplot gropa nuk po sanohen asnjëherë në tërësi. Përveç aksidenteve ato po u shkaktojnë ngasësve dëme edhe në vetura.
Vet ngasësit tregojnë se po kanë shpenzime të mëdha dhe ata që bëjnë kontrolle teknike e pranojnë këtë fakt, ndërkohë Komuna e Prishtinës thotë se kanë probleme me operatorët privatë për rregullimin e gropave.
Qytetari Arben Hoxha thotë se gropat e shumta po u shkaktojnë mjaftë telashe si ngasës, madje sipas tij, si pasojë e gropave nëpër rrugë po shkaktohen edhe aksidente.
Hoxha thotë se shpesh detyrohet ta dërgojë automjetin e tij në kontrollim teknik, kontrolle këto të cilat edhe po i kushtojnë.
Edhe Arbër Bucolli punëtor i një taksie në kryeqytet ankohet se për shkak të gropave po i duhet që shpesh të shpenzojnë për kontrollime teknike të automjetit.
Për Adnan Halitin gropat nëpër rrugët e Prishtinës krahas dëmeve nëpër automjete po shkaktojnë edhe kolona të shumta.
KosovaPress ka kontaktuar edhe inspektues të kontrollit teknik për të parë se cilat janë defektet që gropat nëpër rrugë mund tu shkaktojnë automjeteve.
E lidhur me këtë çështje Fadil Xheladini , inspektues në Qendrën e Kontrollit teknik “Reforma”, thotë se rënia nëpër gropa automjetit mund t’ia ul nivelin e sigurisë, madje ai thotë se defektet e shkaktuara mund të vërehen lehtësisht edhe nga vetë ngasësit.
Teksa i tregon disa nga dëmet që mund t’ia shkaktohen automjetit nga vozitja nëpër gropa, Xheladini thotë se në kompaninë e tyre janë të shpeshta rastet ku ngasësit e automjeteve i sjell automjetet për kontrollime teknike për shkak të dëmeve që janë shkaktuar nga gropat nëpër rrugë.
Gropat nëpër rrugët e Prishtinës i arsyeton i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, i cili thotë se si komunë po kanë telashe me punën që po e kryejnë operatorët privat.
Ai madje ka në plan që duke filluar nga viti i ardhshëm për infrastrukturën e kryeqytetit të përkujdesen kompanitë publike./KP























