Janë hequr 800 deponi ilegale, ato po rikrijohen nga qytetarët
BKT
Kosovë

Janë hequr 800 deponi ilegale, ato po rikrijohen nga qytetarët

Mbi 800 deponi ilegale të mbeturinave u larguan anembanë Kosovës gjatë 3 muajve të aksionit për pastrim. Por, këto deponi po rikrijohen. Prandaj, për të arritur synimet për një Kosovë të pastër mbetet jetik vetëdijësimi i qytetarëve për të mos ndotur mjedisin ku jetojnë dhe veprojnë.

Leutrim Sahiti, zëdhënës i Ministrisë së Mjedisit, thotë se asnjëherë që nga paslufta nuk ka pasur më shumë se tash, mobilizim, projekte dhe aktivitete në mbrojtje të mjedisit.

Por, ai është i vetëdijshëm se ka ende punë për të bërë.

“Problemi më i madh në këtë drejtim mbetet që këto deponi ilegale po rikrijohen nga hedhja ilegale e mbeturinave nga qytetarët e papërgjegjshëm, edhe pse tashmë kemi shumë më pak deponi se sa viteve të kaluara”, thotë Sahiti.

Edhe Merlina Beu-Mucaj, drejtoreshë e GAC-it thotë se deponitë e egra ilegale sado që po pastrohen, sërish po rikrijohen.

“Paralelisht duhet të krijohen parakushte prej institucioneve që parandalojnë rikrijimin e deponive. Duke llogaritur sasinë e mbeturinave që janë dërguar nëpër deponitë rajonale (sipas statistikave prej AMMK) dhe kapacitetin estimativ te sasisë qe prodhohet në nivel vendi, akoma mijëra ton kanë mbetur në nivel territorial duke nënkuptuar këtu edhe mbeturinat që barten nëpër lumenj”, thotë Beu-Muçaj.

Merlina Beu-Muçaj, drejtoreshë e GAC-it

Ministria e mjedisit thotë se për të arritur synimet për një Kosovë të pastër mbetet jetik vetëdijësimi i qytetarëve për të mos ndotur mjedisin ku jetojnë dhe veprojnë. Kjo ministri po punon ngushtë edhe me donatorë nderkombëtar për të rritur investimet në fushën e mjedisit.

“Në këtë drejtim kohë pas kohe jemi duke organizuar edhe fushata vetëdijësuese për të ngritur nivelin e ndërgjegjësimit mjedisor”, thotë ai.
Ministria ka kërkuar edhe nga Komunat që të jenë më aktive në gjobitjen e qytetarëve të papërgjegjshëm, pasi që menaxhimi i mbeturinave bie në domenin e pushtetit lokal.

E Komuna e Vushtrrisë e kontaktuar thotë se është shtuar vetëdijësimi i qytetarëve për të krijuar mjedis të pastër, por se ka raste kur vazhdon mendësia e kaluar.

“Komuna ka vazhduar me vetëdijesimin, duke gjobitur ndotësit e mjedisit dhe duke bërë thirrje për kujdes ndaj mjedisit”, thonë zyrtarët e Komunës së Vushtrrrisë.

Tutje, Merlina Beu-Muçaj, e cila udhëheq një prej organizatave më të mëdha mjedisore në vend, konsideron se mjedisi në Kosovë ka nevojë për investime në rehabilitimin e degradimit si për investime që adresojnë zhvillim të qëndrueshëm.

“Edhe pse në dy vitet e fundit, institucionet qendrore kanë nisur të zbatojnë masat për parandalimin e degradimit mjedisor, akoma mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim”, thotë Beu-Muçaj.

Beu-Muçaj, tregon se si GAC ka bërë aktivitete të shumta në Kosovë për ruajtjen e ambientit.

“Një shembull i mirë mbetet komuna e Prizrenit, e cila ka pasur edhe mbështetje infrastrukturore nga donatorët e huaj për grumbullimin e mbeturinave, duke sjellë si rezultat shërbime më të mira dhe një komunë të pastër. Por, mbrapa nuk mbesin as komunat tjera, të cilat në vitin 2018 kanë bërë reforma të mëdha në shërbimin e mbeturinave duke e shtrire atë në komplet territorin dhe duke eliminuar deponitë e egra sikurse në rastin e komunës së Vushtrrisë“, thotë Beu-Muçaj.

E vetë zyrtarët e komunës së Vushtrrisë thanë se synimi i tyre është që mbrojtja mjedisore të shndërrohet në traditë të përvitshme përmes edukimit mjedisor.

“Riciklimi i mbetjeve urbane, efiçienca e energjisë publike, gjelbërimi dhe mbjellja e pemëve, krijimi i korseve për biçiklista, shëtitoreve dhe oazave gjelbëruese, janë vizioni ynë që bashkë me organizatat jo qeveritare mjedisore po implementohen konform projekteve qe jemi duke i realizuar”, thonë zyrtarët e komunës së Vushtrrisë.

Se sa janë vetëdijësuar qytetarët për të mbajtur mjedisin e pastër, Merlina Beu Muçaj, thotë se në këtë drejtim ka opinione të ndryshme, ku shpeshherë faji mbetet tek qytetaret.

“Megjithatë mund të them se ka nevojë të punohet edhe më shumë në vetedijësimin e qytetareve, por njëherësh duhet te punohet më shumë në drejtim të ofrimit të shërbimeve dhe kushteve për qytetarë dhe në implementimin e ligjeve. Në këtë trekëndësh, qytetarë, ofrim i shërbimit për qytetarë dhe zbatim i ligjit, ku ndotësi paguan, e kemi shumë të lehtë të ndihmojmë në mënyrë konstante në vetëdijësimin qytetar”, thotë Beu-Muçaj./InfoGlobi

 


MË SHUME NGA Kosovë