Auditimi gjen shkelje në Komunën e Skënderajt
Në raportin e Auditimit për vitin 2018, në Skënderaj janë evidentuar disa gjetje, të cilat flasin për mungesën e përgjegjesisë dhe profesionalizmit në këtë komunë.
Ndër to është ajo që emërohet si Çështja A5 që ka të bëjë me Pagesat e ekzekutuara nga ana e Thesarit për vendimet Gjyqësore.
Raporti thekson si më poshtë:
“Ne kemi identifikuar se Thesari kishte ekzekutuar në bazë të vendimeve gjyqësore pagesa në vlerë prej 406,025€. Prej tyre borxhi kryesor ishte 378,130€ dhe shpenzime procedurale të gjykatës (përmbarimit) ishin 27,895€. Po ashtu, kjo formë e pagesave nga thesari ka ndikuar në marrjen e mjeteve nga kategorive ekonomike jo adekuate. Keqklasifikimi nga këto pagesa ishte në vlerë prej 62,475€.
Pagesat kryesisht kishin të bëjnë me obligimet e dala nga marrëveshja kolektive për pagesë të tri pagave jubilare të punonjësve të arsimit dhe tri paga përcjellëse me rastin e pensionimit, si dhe vonesat në pagesa për Operatorët Ekonomik, si shkak i mungesës së mjeteve buxhetore”
GazetaObserver, ka kërkuar zyrtarisht nga komuna e Skënderajt të dhënat për këto pagesa (listën e punonjësve të arsimit me rastin e pensionimit dhe Operatorëve Ekonomik), gjë të cilën përkundër tentimeve Komuna e Skënderajt nuk ka dashur ta bëjë publike.
Keqpërdorimi i evidentuar nga Auditori lidhet direkt me drejtorin e Financave të kësaj komune, z. Mehmet Berisha, i cili konfirmoi se tashmë nuk ishte më në këtë pozitë, mirëpo mbetet e paqartë nëse Berisha është shkarkuar shkaku i raportit, apo është tërhequr vet nga kjo pozitë për t’i ikur përgjegjësisë.
As shefi i Buxhetit, Halit Xhema, nuk ka shprehur gatishmëri që të komunikojë rreth kësaj çështjeje .
Në anën tjetër auditori po ashtu ka evidentuar edhe një sërë shkeljesh duke ia prezantuar rekomandimet kryetarit Bekim Jashari.























