Protestojnë nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë
Nxënësit e Gjimnazit të Shkencave Shoqërore “Ahmet Gashi” më Prishtinë, po protestojnë para Komunës së Prishtinës në shenjë pakënaqësie për vendimin e Drejtorisë së Arsimit, që ky gjimnaz të transferohet në dy shkolla tjera.
Nxënësit janë mbledhur para dyerve të Komunës së Prishtinës duke kundërshtuar këtë vendim.
Disa nga nxënësit janë duke hyrë në objektin e Komunës së Prishtinës, ku pritet të takohen me kryetarin Shpend Ahmeti
Përfaqësuesja e nxënësve të shkollës, Fortunë Gubetini ka thënë se kërkesa e tyre është që pas vendimit të drejtorisë për rrëzimin e shkollës, aty të ndërtohet shkollë, e jo të përdoret për interesa personale të dikujt tjetër.
Disa nga pankartat që nxënësit kanë në duar dhe po kërkojnë drejtësi janë, ” Duam shkollë” , “Stop krimit ndaj shkollave shqipe” etj.
Drejtoria ka marrë vendim që nxënësit e klasës së 10-të të kësaj shkolle do të vendosën në objektin e Shkollës Fillore “Emin Duraku”, kurse klasat e 11-ta dhe të 12-ta do të vendosën në Gjimnazin “Sami Frashëri”, raporton Ekonomia Online.























