Gruaja nuk e dinte se kishte kryeveprën e artit që kushtonte 6 milionë euro
Një kryevepër e humbur e piktorit të shekullit të 13-të, Cimabue, është gjetur në një kuzhinë afër Parisit.
"Christ Mocked" pritet të dalë në ankand dhe vlerësohet të shitet për 6 milionë euro.
Vepra e rrallë e artit mbahej nga një grua e moshuar franceze nga qyteti i Compiegne. Ajo mendonte se bëhej fjalë për një ikonë fetare greke dhe e kishte varur në kuzhinën e saj.
Por gruaja nuk e dinte që piktura me përmasa 25.8 x 20.3 cm kishte shumë vlerë.
Bëhej fjalë për pikturën e artistit të madh italian, Cimabue, i cili konsiderohet "babai" i pikturës.
Cimabue është pseudonimi i artistit Cenni di Pepo, i lindur në Firence rreth vitit 1240. Ai ka qenë zbuluesi dhe mjeshtri i Giotto, i konsideruar gjerësisht si një nga artistët më të mëdhenj të epokës së para Rilindjes.
Në botë janë 11 piktura të tij, të gjitha të rralla.
























