Drenasi miraton buxhetin për vitin 2020
Asambleja Komunale e Drenasit me 19 vota për, 4 kundër dhe 2 abstenime, sot ka miratuar Buxhetin për vitin 2020 në vlerë të 16.490.343 euro dhe projeksionet buxhetore për vitet 2021 dhe 2022.
Me këtë rast, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci përmes një njoftimi ka theksuar se buxheti komunal është propozuar pas dëgjimeve buxhetore nëpër fshatra, lagje dhe bashkësi të fshatrave, dhe se përmes miratimit të tij, si asnjë herë më parë, kemi dëshmuar se të gjithë së bashku, kemi një qëllim- mirëqenien e qytetarëve të komunës tonë.
“Me dhjetëra projekte janë aktualisht në zbatim, e shumë të tjera tashmë janë të përfunduara. Ne nuk do të ndalemi së zbatuari ligjin dhe obligimin ndaj qytetarëve, për mirëqenien e tyre, sepse, ky është qëllimi dhe detyrimi ynë ligjor, moral e patriotik. Komuna e Drenasit ka nevojë ende për më shumë punë e projekte për qytetarët, ne jemi këtu, të angazhohemi, secili sipas përgjegjësisë, së bashku të bëjmë më të mirën e mundshme”, theksoi Lladrovci.























