Ujësjellësi pa kompetenca për krojet vetanake
Albulena Bytyqi
Cilësia e ujit në disa nga krojet publike në Kosovë, i cili përdoret për pije nga shumë qytetarë, rezulton të mos jetë shumë e sigurt, bazuar ne analizat që i bën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. E zyrtarë të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, thonë se uji në krojet që janë të lidhura me rrjetin e ujësjellësit është i sigurt për pije. Ndërsa për krojet tjera që kanë burime vetanake Ujësjellësi nuk ka kompetenca te bëj kontrollin e cilësisë së ujit në to.
Kryeshefi i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu, tha se disa nga krojet publike që janë në qytet, e që janë të kyçura ne rrjetin e ujësjellësit, uji është i përdorshëm për pije. Ndërsa ne krojet tjera që kanë burime vetanake ujësjellësi nuk ka kompetenca të jep te dhëna për cilësinë tyre.
“Ka edhe kroje të cilat kanë burime vetanake kryesisht në viset malore, ose puset nëntokësore, për ato kroje Ujësjellësi nuk ka kompetenca te bëj kontrollin e tyre dhe te jep rezultate se çfarë kualiteti është ai ujë. Këto të dhëna mund ti merrni nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, tha Abdullahu.
E në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Burbuqe Nushi-Latifi, koordinatore nga Qendra e Monitorimit të Ujit për pije, tha për Radio Kosovën se sipas analizave të kohëpaskohshme që ua kanë bërë krojeve publike, rezulton një jo përputhshmëri me standardet e parapara për ujin e pijshëm.
“Sa i përket krojeve publike, ato të cilat janë në sisteme të kompanive (p.sh. kroi i Shatërvanit në Prizren), përcjellja bëhet në përputhshmëri me planin e monitorimit. Krojet e tjera të cilat kanë burimin natyror të kaptuar (siç është rasti p.sh. i krojeve te Gërmisë apo i krojeve ne Matiqan) ne kemi marrë mostra të kohëpaskohshme dhe analizat rezultojnë me jo përputhshmëri me standardet e parapara për ujin e pijshëm”, tha Nushi-Latifi.
Ndryshe, IKSHPK, Qendra për Monitorimin e Ujit për Pije, thotë se garanton cilësi të ujit për konsum në zonën e furnizimit të monitoruar nga ekipet e institutit në shtatë (7) qendra rajonale në Kosove. Ndërsa sa u përket krojeve publike, të cilat kanë burime vetanake, ato janë përgjegjësi pushtetit komunal, përkatësisht Inspektoratit sanitar komunal.























