Drenasi shënoi 111-vjetorin e Kongresit të Manastirit
BKT
Kosovë

Drenasi shënoi 111-vjetorin e Kongresit të Manastirit

Me rastin e 111-vjetorit të Kongresit të Manastirit, në Drenas u mbajt një Akademi Solemne e organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Drenasit.

Fjalën e hapjes e mbajti nënkryetari i Komunës, Nazmi Hasi, i cili ndër të tjera tha  se  përkujtimi i ngjarjeve më të rëndësishme e më të ndritshme kulturore të popullit tonë është i domosdoshëm sepse në këtë mënyrë ne drejtohemi kah njohja e vlerave dhe respektimi i tyre.  Më tej shtoi se “jemi të lumtur dhe krenarë se me alfabetin e Manastirit janë botuar kryevepra me vlera kombëtare por edhe ndërkombëtare”.

Ndërsa drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Shqipe Zogu u shpreh se shkronjat jo latine nuk ishin të përshtatshme për kultivimin e gjuhës shqipe dhe bashkimit gjuhësor kombëtar.

Në kumtesën me  titull “Historiku i Kongresit të Manastirit“, profesor Bedri Tahiri pasi i bëri një përmbledhje të rrugëtimit historik të shkrimeve shqipe drejt një alfabeti të njësuar tha se ky Kongres pati një rëndësi për mbarë kulturën  kombëtarë shqiptare. Kongresi i Manastirit  u dha shqiptarëve një alfabet latin  dhe i drejtoi  ata nga perëndimi  duke i larguar nga kthetrat e armiqve dhe fqinjëve lakmitarë. Gjuha shërbeu si mjet për formësimin kombëtar.

Dr. Bashkim Musliu  në kumtesën me titull  “Rëndësia e Kongresit të Manastirit”, ndër të tjera tha se fati ynë  ishte që të vdesim jo vetëm për tokën tonë, por edhe për shkronjat tona. Kongresi i Manastirit ka rëndësi kulturore e arsimore, politike dhe kombëtare. Kongresi i Alfabetit ishte kundërvënie ndaj asimilimit  dhe shkombëtarizimit  dhe parapërgatitje për mbrojtje nga  rreziku i copëzimit  të trojeve shqiptare.

Akademia Solemne u përmbyll me një program artistik, njofton Komuna e Drenasit.


MË SHUME NGA Kosovë