Peja nderoi viktimat e tërmetit në Shqipëri
Qytetarë të zakonshëm, sportit, artist, njerëz të medias, përfaqësues institucional dhe politik i janë bashkuar sonte iniciativës së përbashkët të alpinistes me përmasa ndërkombëtare Mrika Nikçi dhe të “RADIO 1”, për të ndezur qirinj në parkun e paqes, pranë Obeliskut ‘I Love Peja’, në nderim të jetëve të humbura nga tërmeti në Shqipëri.
Alpinistja Mrika Nikçi në fjalën hapëse ka ftuar të pranishmit të luten për shpirtërat e jetëve të humbura dhe për shërimin e të lënduarve.
“Ne kemi dhembje dhe kur jemi bashkë e tejkalojmë më lehtë. Të lutemi për shpirtërat e jetëve të humbura dhe për shërimin e të lënduarve”, tha Nikçi.
Nga “RADIO 1” dhe Portali “Njeshi”, morën pjesë stafi punonjës, ndërsa që Arben Rexhepi – Drejtor i këtij institucioni dhe Fitim Behluli Kryeredaktor, thanë se akti solidarizues është i hapur deri në orët e vona.
“Deri në mesnatë qytetarët janë të lirë ti bashkohen kësaj simbolike. Mediumi ynë po vazhdon me kapacitetet që ka për të vepruar në shumë sfera në mbështetje të të dëmtuarve”, u shprehën Rexhepi dhe Behluli.
Nderimit homazh, i është bashkuar edhe zv. ministri në detyrë i Shëndetësisë së Qeverisë së Kosovës, Ali Berisha.
“Përgëzoj Mrikën dhe ‘RADIO 1’ për iniciativën. Kjo reflekton dhe na forcon. Krahas iniciativave sikur kjo, ndërveprimi institucional në mbështetje të të dëmturave po vazhdon! Mendoj se edhe institucionet por edhe populli po e bëjnë detyrën”, tha Ali Berisha.
Në emër të KF Besa qirinj ndezi trajneri, Astrit Imami. Më pas nga Estrada nderuan me homazh këngëtarët e njohur Vllaznim Sinani – Caki dhe Granit Hyseni si dhe shumë emra të tjerë të jetës kulturore.























