Rusi paguhej 10 mijë euro nga emigrantët për të kaluar një kufi të shpikur
Sharr Travel

Rusi paguhej 10 mijë euro nga emigrantët për të kaluar një kufi të shpikur

Rusia dhe Finlanda ndajnë mes tyre rreth 1340 kilometra linjë kufitare. Por për një shtetas rus nga Shën Petersburgu kjo gjatësi domethënëse nuk mjaftonte, dhe mendoi të shtonte një kufi tjetër…imagjinar.

Në fakt kufiri fallco ishte pjesë përbërëse e një skeme mashtrimi vërtetë “djallëzore” ku personi në fjalë, më pas i arrestuar, i bënte disa persona të besonin po kalonin kufirin midis Rusisë dhe Finlandës, ndërkohë që vendi i BE-së ishte ende larg disa kilometra.

Për të kaluar në Perëndim, çdo person duhet të paguante rreth 10 mijë euro, një shifër e lartë që meritonte edhe një “skenografi” në lartësinë e duhur.

Në një pyll të harruar edhe nga vetë autoritetet, personi kishte ndërtuar një kufi me postblloqe, gardhe dhe pankarta informuese, madje të shkruara në gjuhë të ndryshme, që  sinjalizonin kufirin zyrtar si dhe dokumentet që nevojiten për kontroll.

Katër të mashtruarit, kombësia e të cilëve nuk bëhet e ditur por që me shumë gjasa vinin nga Azia jugore,  detyroheshin të ecnin disa kilometra në këmbë, të kalonin një liqen  dhe më pas liheshin në një vend ku rusi mashtrues deklaronte që kufiri aq i ëndërruar ishte i kaluar tashmë, dhe që ai duhet të kthehej.

Kufiri imagjinar dhe ai i vërtetë

Pak orë ecje më vonë, për 4 të mashtruarit vinte edhe surpriza më e hidhur, një tjetër kufi Rusi-Finlandë, kësaj radhe ai i vërtetë, ku u bllokuan përfundimisht.

Aziatikët denoncuan personin dhe pas disa ditësh kërkim, ai u arrestua për mashtrim, ndërkohë që as për të mashtruarit historia nuk përfundon mirë, përkundrazi. U dëbuan nga Rusia, dhe tani do të rikthehen në shtëpitë e tyre pa paratë e kursyera në një jetë dhe me një kufi prej kartoni në mendje.