Haziri gëzon fermerët e Gjilanit, shpërndanë 35 krerë lopë
Sharr Travel

Haziri gëzon fermerët e Gjilanit, shpërndanë 35 krerë lopë

35 familje të Gjilanit kanë përfituar sot nga një krerë lopë qumështore të racës “Hollshtajn-Frizes”, si pjesë e bashkëpunimit të Komunës dhe organizatës për zhvillim rural “Mëshqerra”.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka falënderuar drejtoreshën e kësaj organizate Florentina Kida-Gërguri për këtë bashkëpunim trepalësh, duke thënë se qëllimi kryesor është që ta rrisim fondin e bagëtive.

“Baza për zhvillimin ekonomik lokal është bujqësia dhe shtimi i fondit të bagëtive është njëri prej prioriteteve tona. Me këtë ne po i ndihmojmë dhe po e lehtësojmë punën e çdo familje bujqësore në Gjilan për zhvillim të kësaj veprimtarie. Ju sigurojmë që edhe në vitin e ardhshëm do ta zhvillojmë më tutje këtë projekt”, tha Haziri.

Ai theksoi se Gjilani në parametrat e zhvillimit lokal ekonomik këtë vit po përmendet si komunë që është duke e zhvilluar industrinë e bujqësisë, përkatësisht përpunimin e mishit.

Ndërkaq, drejtoresha e organizatës për zhvillim rural “Mëshqerra”, Florentina Kida-Gërguri, e ka falënderuar drejtorin e Bujqësisë, Ramiz Ramadani, për të cilin tha vazhdimisht ka bërë përpjekje për ta përfituar këtë donacion, dhe falë kësaj janë gëzuar 35 familje.

“Besoj që është një racë që ia vlen për ta plasuar qumështin në treg dhe për ta zhvilluar prodhimtarinë e qumështit. Ne po planifikojmë të vazhdojmë edhe me projektet tjera me Komunën e Gjilanit”, theksoi ajo.

Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka bërë të ditur se kategoria e fermerëve që po i mbështesin janë ata që kanë nga një deri në katër krerë lopë.

“Viti 2019 ka qenë vit i blegtorisë në Gjilan, ngase dy donacione i kemi pasur nga shkolla e agrobiznesit “Arbëria”. Sot po i shpërndajmë 35 krerë lopë të racës “Hollshtajn”, e cila është tipike e qumështit. Kategoria e fermerëve që po i mbështesin janë ata që kanë nga një deri në katër krerë lopësh, të cilët nuk kanë përfituar nga Ministria e Bujqësisë. Ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe besoj që shumë shpejtë do ta kemi edhe kontigjentin tjetër”, tha Ramadani.

Projekti ka verë prej 100 mijë euro. Komuna e Gjilanit ka participuar me 28 mijë euro, donatori me 59 mijë, ndërkaq fermerët me 14 mijë euro.