Gashi: Këtë vit kemi realizuar 200 projekte
Numër i madh i qytetarëve kanë marrë pjesë sot në debatin publik të Komunës së Obiliqit, ku u diskutua për të gjitha punët dhe problemet që e kanë shoqëruar këtë Komunë, gjatë vitit që po lemë pas.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, duke falënderuar të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e treguar në realizimin e projekteve komunale, tha se në këtë vit kanë arritur t’i realizojnë rreth 200 projekte.
“Ju e dini edhe në fillim vit ne kemi bashkëbiseduar me të gjitha fshatrat dhe i kemi diskutuar të gjitha projektet qw do të jenë në realizim këtë vit. Unë falënderoj fillimisht të gjithë ata që keni qenë pjesëmarrës në realizimin e projekteve, kontributin që e keni dhënë gjatë persekutimit të punimeve... Janë realizuar rreth 200 projekte në total, duke filluar përmbyllja e procesit të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës, pastaj në shëndetësi janë investuar rreth 500-mijë euro, në përmasimin e shërbimeve, duke i llogaritur ambulantat, laboratorët, renovimet që janë bërë. Në Arsim rreth 1.43 milionë euro në total, të cilat janë shfrytëzuar edhe në infrastrukturë, mirëpo edhe për subvencione, gjithsej janë shpenzuar për mjete, janë duke ndërtuar shtëpia dy shtëpia të edukatës fizike dhe janë në përmbyllje në proces... Ka edhe projekte të tjera të shumta që kanë ndodhë dhe pritën të ndodhin edhe projekte në vazhdim”, tha Gashi.
Qytetarët patën mundësi t’i marrin të gjitha përgjigjet për pyetjet e tyre rreth Komunës së Obiliqit. Ndër të tjerash Gashi u pyet për infrastrukturë, cilësinë arsimore, ekonomin, ndërtimin e parqeve e shumë gjëra të tjera.
Qytetari Nuhi Mehani e pyeti Gashin në lidhje me një park që sipas tij punimet kanë mbetur në gjysmë tash e shumë kohë.
“Për ditë po kaloj pe shoh parkun qaty, veç po e du një përgjigje të shkurtë, a ka përfunduar parku, a ka punë hala mu kry, se ka elemente që nuk iu kanë bashkëngjitë, nëse nuk ka përfunduar a ka me u përfunduar vitin e ardhshëm?”, pyeti Mehani.
I pari i Obiliqit tha se, parku në fjalë nuk është përfunduar dhe janë ndalur punimet, e krejt kjo për shkak se kompania nuk i ka kryer punët në bazë të kontratës. Gashi tha se vitin e ardhshëm do të rishpallët konkursi dhe do të vazhdojë punën një kompani e re.
“Ka filluar realisht ndërtimi në vitin e kaluar, mirëpo duke e llogaritë që punëkryesi nuk i ka kryer punët si mbas kontratës të kontraktune, tu i falënderuar edhe mbikëqyrësit, ne e kemi formuar një komision, i cili për shkak të cilësisë të cilën ai nuk e ka implementuar kontratën, jemi të detyruar t’ia ndërpremë kontratën. Është gjobit kompania nëse nuk gaboj diku 20 mijë euro. Pritët që vitin e ardhshëm të rishpallët përsëri dhe pjesa e mbetur shpresojmë që shpejtë përfundohet”, u shpreh Gashi.
Pyetje kishte edhe qytetari Halit Thaçi, sipas të cilit të gjitha rrugët që janë asfaltuar janë ngushtuar, gjë që paraqet problem për qytetarët.
“The se janë shtruar 150 rrugë, besoj që e keqja këtu është se po bëhet ngushtimi i rrugëve, thuajse shumica e rrugëve po ngushtohet”, pyeti Thaçi e Xhafer Gashi tha se, të gjitha projektët e Infrastrukturës që janë realizuar janë bërë me miratimin e qytetarëve.
“Unë mendoj që secilit qytetar ja kemi dhënë të drejtën dhe mundësinë që t’i mbikëqyrim bashkërisht me mbikëqyrësit dhe të gjitha prioritetet, të cilat kanë qenë këtë vit, kanë qenë ato të cilat i ka mbikëqyr qytetari”, përfundoi Gashi.
E krejt në fund Gashi u premtoi qytetarëve e Obliqit, se edhe në vitin 2020, do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm të punës.























