Mjerimi mbetet i përbashkët në Mitrovicë
BKT
Kosovë

Mjerimi mbetet i përbashkët në Mitrovicë

Në këtë urë që mbi supet e saj numëron mbi një mijë incidente prej pas luftës e deri më sot, nuk ka asnjë pengesë betoni, siç ishin më parë, por në anët jugore dhe veriore të saj vazhdimisht qëndrojnë automjete të KFOR-it dhe policisë, që pasqyrojnë realitetin e ndarjes etnike.

 

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga përfundimi i luftës, Mitrovica vazhdon të mbetet qytet i ndarë, me shqiptarë në jug dhe kryesisht me serbë në veri.

Ura kryesore mbi lumin Ibër, është ndër të vetmet që në vend të bashkimit, simbolizon ndarjen e këtij qyteti, edhe pse bashkësia ndërkombëtare pati dhënë para të majme për rivitalizimin e saj, me synimin e krijimit të lidhjeve më të mira mes jugut dhe veriut.

Jeta dhe problemet e përditshme në të dyja pjesët janë të vetmet që simbolizojnë unitetin e qytetarëve në këtë qytet.

Ata përmendin papunësinë, çështjet ekonomike e sociale, infrastrukturën dhe të ngjashme, si problemet kryesore me të cilat përballen pothuajse çdo ditë, ndërsa gjendjen e përgjithshme e quajnë mjerim.

Jahir Delijaj, pensionist nga jugu i Mitrovicës, thotë për KosovaPress, se pa përmirësimin e gjendjes së përgjithshme ekonomike, pa funksionimin e mirëfilltë të gjykatave, si dhe pa punësimin e të rinjëve, nuk ka perspektivë.

Sipas tij, veprimet e udhëheqësve janë lojëra politike nga të cilat janë lodhur qytetarët.

Delijaj potencoi se pjesa dërmuese e popullatës jeton në mjerim.

Ai flet me nostalgji për periudhën e paraluftës, duke e përshkruar si kohë kur kanë funksionuar gjërat dhe shteti, ndërsa u shpreh optimist për një të ardhme më të ndritshme.

Edhe Millosh Vuksanoviq, taksist nga veriu i Mitrovicës, gjendjen e përgjithshme të qytetarëve në atë pjesë e ka quajtur mjerim.

Ai tha se derisa mbetet e vështirë çështja e punësimit, gjendja e qytetarëve është e mjeruar.

Ai shpreson në të ardhmen të ndryshojë kjo gjendje e rëndë dhe të bëhet më mirë për qytetarët, por pa përmendur saktë kur do të ndodhë kjo.

Ngjashëm rreth gjendjes ekonomike u shprehën edhe disa qytetarë tjerë të veriut, por të cilët nuk pranuan të flasin para kamerës.

Ndërkaq, Florentina Hajra nga shoqëria civile, situatën e sheh pak më ndryshe.

Sipas saj, krahasuar me të kaluarën që gjithçka është politizuar, vëmendja e qytetarëve ka kaluar tek problemet e përditshme, për të cilat tha se janë pothuajse të njëjta si në veri ashtu edhe jug.

Ajo potencoi shkallën e lartë të papunësisë në Mitrovicë, të cilën e quajti emergjente.

Gjendja e qytetarëve nuk është e mirë, shtoi Hajra, por tha se nuk është e mjerueshme.    

Ajo duke folur për të ardhmen, nuk u përcaktua optimiste ose pesimiste, por tha se qytetarët kanë kërkuar ndryshimin dhe ajo duhet të ndodhë, ndryshe zhgënjimi i tyre do të jetë i madh.

Në anën tjetër, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka apeluar tek të gjithë që gjërat mos të politizohen në Mitrovicë, siç ndodhë shpesh, sepse kjo mund të shkaktojë tensione të panevojshme tek qytetarët.

Ai bëri të ditur për KosovaPress se qyteti i Mitrovicës është ndryshe nga vendet tjera.

Ndryshe, mbetet të shihet nëse e ardhmja do të arrijë që problemet e përditshme të mbijetesës, të eliminojnë ndarjen nacionaliste të qytetarëve këtu.


MË SHUME NGA Kosovë