Aliu: Viti 2019 ishte vit i sfidave dhe sukseseve për Ferizajn
BKT
Kosovë

Aliu: Viti 2019 ishte vit i sfidave dhe sukseseve për Ferizajn

Vitin që lamë pas, Agim Aliu kryetar i Komunës së Ferizajt, po e konsideron si vit të sfidave dhe të sukseseve për komunën që e drejton. Sfidë për këtë komunë sipas Aliut vazhdon të jetë trashëgimi i borxheve, ndërkaq si suksese rëndit projektin e bashkimit të qytetit që pritet të përfundojë brenda këtij viti dhe ndërtimin e spitalit të Ferizajt.

I pari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, në një intervistë për KosovaPress thotë se edhe gjatë vitit 2019 kanë vazhduar të përballen me problemin e gjendjes financiare, ku ai thotë se nga qeverisja e kaluar ka trashëguar mbi 40 milionë euro borxhe.

Dy nga projektet, që sipas Aliut janë tejet të rëndësishme, e që kanë filluar të realizohen gjatë vitit 2019 janë ndërtimi i pallatit të kulturës dhe ndërtimi i Qendrës Kryesore Të Mjekësisë Familjare.

Të dy këto projekte, Aliu thotë se janë të rëndësishme për qytetarët e komunës që e drejton.

Viti 2020 pritet të jetë viti kur do të përfundojë projekti i bashkimit të qytetit, për çka kreu i komunës së Ferizajt thotë se punimet janë duke shkuar me një dinamikë më të lartë sesa që është paraparë në kontratë.

Këtë vit, kreu i Ferizajt thotë se pritet të përfundojë edhe pallati i panaireve dhe sporteve.

Aliu ka folur edhe për ndërtimin e spitalit regjional të Ferizajt, për të cilin thotë se ka qenë shumë i domosdoshëm për qytetarët e kësaj komune. Sipas tij, bazuar në dinamikën e punimeve projekti në tërësi mund të përfundojë në vitin 2021.

I pari i Ferizajt bëri të ditur se gjatë dy viteve të fundit kanë filluar ndërtimin e 5 shkollave në gjithë komunën, e kjo sipas tij do t’u mundësojnë nxënësve që të kenë kushte më të mira për mësim.

Gjatë vitit që e kemi lënë pas, Aliu thotë se kanë realizuar edhe shumë projekte të tjera infrastrukturore, siç është ndërtimi i trotuareve, shtrimi i rrugëve me asfalt, ndriçimi i rrugëve dhe shumë projekte të tjera.


MË SHUME NGA Kosovë