NASA: Tymi i zjarreve të Australisë do të rrotullohet rreth tërë botës
Sharr Travel

NASA: Tymi i zjarreve të Australisë do të rrotullohet rreth tërë botës

Agjencia amerikane për hulumtimin e hapësirës, NASA, ka thënë se tymi i zjarreve masive të Australisë së shpejti do të bëjë rrotullim të plotë rreth planetit tonë.

Zjarret e mëdha në pjesën lindore të Australisë kanë qenë aktive për muaj të tërë, duke bërë që tymi të përhapet mbi qiellin e Oqeanit Paqësor.

NASA tha se tymi i këtyre zjarreve tashmë e ka kaluar Amerikën Jugore dhe e ka bërë gjysmën e rrugës rreth globit më 8 janar.

“Ky tym pritet që të bëjë së paku një rrotullim të plotë rreth botës”, thuhet në deklaratën e kësaj agjencie.

Një pjesë e tymit tashmë ka arritur në stratosferë, në lartësi prej 17.7 kilometrave nga Toka.

“Posa të futet në stratosferë, tymi mund të lëvizë për mijëra kilometra nga burimi i vet, duke ndikuar në kushtet atmosferike në tërë botën”, tha NASA.

Kjo agjenci tha se tymi e ka ndryshuar ngjyrën e qiellit në Amerikën Jugore dhe në Zelandën e Re, ku i ka dobësuar në masë të konsiderueshme cilësinë e ajrit dhe dukshmërinë, shkruan “BBC”