Termokos do të zgjerojë rrjetin e ngrohjes në 50% të lagjeve të Prishtinës

Termokos do të zgjerojë rrjetin e ngrohjes në 50% të lagjeve të Prishtinës

Termokos publikoi rezultatet e projekteve që janë realizuar vitin e kaluar dhe projektet që pritet të realizohen këtë vit.

Drejtues të ndërmarrjes gjatë një konference për media kanë bërë të ditur se  furnizimi me ngrohje gjatë vitit 2019 ka qenë më i mirë, ku përmirësim i madh ka pasur në Bregun e Diellit dhe lagjen e universitetit, teksa sivjet do të ketë zgjerim të rrjetit të ngrohjes në 50% të lagjeve në Prishtinë, nga 28% sa ishte deri tash.

Kryeshefi ekzekutiv, Arsim Fetahu tha se 2019 konsiderohet si viti më i suksesshme në historinë e Termokosit. Ai tha se pjesa dërmuese e konsumatorëve janë të kënaqur me shërbimet e ofruara.

“Definitivisht viti i kaluar ka qenë më i suksesshmi në historinë e Termokosit, duke pasur parasysh të arriturat të cilat do t’i shpalosim tash. Gjatë vitit 2019 furnizimi me ngrohje ka qenë shumë i mirë, ku pjesa dërmuese e konsumatorëve tonë janë të kënaqur me shërbimet e ngrohjes, gjithashtu dallim këtë vit ka bërë edhe furnizimi kualitativ i ngrohjes së Kodrës së Diellit, i cili deri tash ka pasur probleme të theksuara, mirëpo për fat të mirë është rregulluar... Prodhimi i energjisë termike ka qenë 232.246 MWh, rritje 5% në vitin 2019 me shumë se viti 2018, që ka qenë prodhimi më i madh që ka qenë ndonjëherë në Termokos. Liferimi i energjisë termike ka pasur rritje për 9.6 për qind në raport me vitin 2018,”tha Fetahu.

Sipas tij humbjet e energjisë gjatë vitit 2019 kanë pasur rënie nga 10 për qind në 8 për qind, që është shume e rëndësishme për përmbushjen e nevojave në aspektin teknik.

Fetahu tha se lagjet që do të jenë prioritet i Termokosit për vitin 2020, janë fillimisht ‘Ulpiana’, ‘Dardania’, ‘Mati 1’.

Ndryshe, Termokos është themeluar në vitin 1970, si kompani e ngrohjes qendrore.


MË SHUME NGA Nacionale