Komuna e Prishtinës nuk shpenzon 30 milionë euro

Komuna e Prishtinës nuk shpenzon 30 milionë euro

Organizata INPO shpreh shqetësim ndaj realizimit të ulët të buxhetit për investime kapitale në komunën e Prishtinës, ku sipas të dhënave del se kjo komunë i ka shpenzuar vetëm 40.9 përqind të buxhetit për investime kapitale, duke i lënë të pa shpenzuara rreth 30 milionë euro.

INPO  nëpërmjet një komunikate për media, ka ripërsërit thirrjen publike ndaj kryetarit të komunës dhe Kuvendit Komunal  që të bëjnë një analizë të hollësishme të arsyeve të mos shpenzimit të buxhetit në projektet kapitale dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për përmirësimin e punës në realizimin e buxhetit.

“Sipas raportit financiar të Komunës së Prishtinës për periudhën 1 janar-31 dhjetor 2019, i cili pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës të Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF), ekzekutivi komunal, respektivisht kryetari i komunës, njëjtë si në vitin e kaluar, nuk ka arritur të shpenzoj as gjysmën e buxhetit të planifikuar për investime kapitale. Nga mbi 46 milionë euro të parapara për këtë kategori, komuna ka shpenzuar vetëm 18 milionë e 845 mijë euro, apo vetëm 40.94% të mjeteve në dispozicion. Krahasuar me vitet paraprake 2018, 2017, 2016 dhe 2015, vërejmë se niveli i ekzekutimit të buxhetit për investime kapitale ka pësuar rënie drastike. Në vitin 2018, nga kjo kategori buxhetore ishin shpenzuar 43.47% të mjeteve në dispozicion, ndërkaq 56.48% në vitin 2017, 58% në vitin 2016 dhe 62% në vitin 2015. Ky trend në rënie i shpenzimit të buxhetit të dedikuar për investime kapitale, dëshmon paaftësinë e komunës pë r t`i planifikuar dhe realizuar projektet kapitale brenda vitit buxhetor. INPO ka vërejtur se mbi 9 milion euro apo 50% e mjeteve për këtë kategori janë shpenzuar në tremujorin e fundit të vitit 2019, që është tregues i qartë për mungesën e angazhimit sistematik të komunës për të menaxhuar dhe mbikëqyrur realizimin e investimeve kapitale. Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportet vjetore të pasqyrave financiare të komunës, në vazhdimësi i ka rekomanduar kryetarit të komunës, që t`i vlerësoj arsyet për nivelin e ulët të ekzekutimit të buxhetit për investime kapitale. Siç vërehet në raportin financiar, kryetari nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të shpenzuar më denjësisht këtë kategori. Madje në këtë raport nuk janë reflektuar veprimet e kryetarit për t`i adresuar rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, ngecje  është vërejtur edhe në inkasimin e të hyrave vetjake nga disa kategori të të hyrave, respektivisht nga inkasimi nga mbeturinat, ku janë inkasuar pak mbi 2 milion euro, ndërsa parashikimet për mbledhje të taksës për këtë kategori kishin qenë afër 4.5 milion euro, si dhe tek taksat për shfrytëzimin e hapësirave publike inkasimi është i ulët.

“Në këtë drejtim, INPO fton kryetarin e komunës së Prishtinës që me seriozitetin maksimal të angazhohet në identifikimin e faktorëve që janë duke ndikuar në mos realizmin e buxhetit për këtë kategori dhe në bashkëpunim me Kuvendit Komunal të hartojnë strategji të fokusuar në investime kapitale të bazuar në prioritete dhe planifikim të mirëfilltë financiar, gjithnjë duke u bazuar në nevojat reale të qytetarëve në mënyrë që përmirësoj kualitetin e shërbimeve dhe jetën në komunën e Prishtinës”, thuhet në komunikatë.


MË SHUME NGA Nacionale