Gjilani përfiton grant për renovimin e 50 shtëpive individuale
BKT
Kosovë

Gjilani përfiton grant për renovimin e 50 shtëpive individuale

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka njoftuar se 50 familje gjilanase do të përfitojnë renovimin e shtëpive, në kuadër të programit për efiçiencë të energjisë elektrike.

Kjo u bë e ditur gjatë takimit që Haziri e pati me përfaqësues të Fonacionit të Mileniumit të Kosovës.

“Pata kënaqsinë që ta pres në takim Marijan Hohnjec, i cili vjen në emër të Fondacionit të Mileniumit të Kosovës. Në kuadër të programit të tyre për efiçiencë për energji, Gjilani është përfitues i sanimit dhe renovimit të 50 shtëpive individuale, të cilëve do t’iu ndërrohen komplet dyert e dritaret dhe sistemin e ngrohjes qendrore. Qëllimi është ruajtja dhe kursimi i energjisë”, ka deklaruar Haziri.

Ai tha se prioritet kësaj radhe do të jenë familjet individuale me asistencë sociale, nënat vetushqyese me fëmijë dhe familjet me pleq, ku Komuna e Gjilanit do të jetë bashkëfinancuese në këtë program të këtij Fondacioni, që financohet nga qeveria amerikane. 

Haziri theksoi se gjatë javës së kaluar kanë nënshkruar marrëveshje për projektin e efiçiencës së energjisë, ku përfituesit e parë janë shkolla e Përlepnicës “Skënderbeu” dhe “Thimi Mitko” në Gjilan.

Ndryshe, programi i renovimit të 50 shtëpive do të nisë në mars të këtij viti.


MË SHUME NGA Kosovë