​Haziri: Për këtë Republikë derdhën gjak gjenerata të tëra
Sharr Travel

​Haziri: Për këtë Republikë derdhën gjak gjenerata të tëra

Me rastin e 12-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Komuna e Gjilanit ka nisur aktivitetet e shumta.

Kryetari Lutfi Haziri ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve, sikurse edhe të shtatoret e bustet e heronjve, Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani, Agim Ramadani, Esat Berisha, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Pajazit Ahmeti e Alban Ajeti, Reshat Ymeri, Tefik e Hanumshahe Zymberi dhe te busti i Xhavit Ahmetit.

“Uroj qytetarët për 17 Shkurt, ditën e shpalljes së Republikës së dytë të Kosovës, Republikës formale dhe të pranimit ndërkombëtar pas bisedimeve të Vjenës. Kjo Republikë vjeneze na gëzon të gjithë neve, por duhet të bëjmë më shumë që shqiptarët e Kosovës Lindore, ajo pjesë e pazgjidhur, të mos harrohet, të jetë në plotninë e saj dhe i gjithë populli ta gëzojë këtë ditë të shenjtë dhe ditë të madhe të lirisë”, ka thënë Haziri, pas homazheve.

Ai pohoi se për këtë ditë kanë derdhur gjakun dhe kanë sakrifikuar gjenerata të tëra.

“Për Republikë, kanë derdhur gjakun breza e gjenerata të tëra, por në fund besoj që këto 12 vjet, janë një dekadë e më shumë që ne po e gëzojmë dhe po e rrisim Republikën tonë, me dhimbjet e saj, por besoj që kjo do të kalojë në interes të zhvillimit të vendit”, tha Haziri.

Ndërkohë, në ora 17:00, në sallën e teatrit të qytetit, mbahet Akademi kushtuar 17 Shkurtit, ku edhe do të ndahen tetë çmime, Nderi i Qytetit dhe Heroina e Qytetit.