Drenasi shënon 12-vjetorin e Pavarësisë me shumë aktivitete

Drenasi shënon 12-vjetorin e Pavarësisë me shumë aktivitete

Në përkujtimin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me kabinetin e tij, drejtorë të drejtorive komunale, asamblesitë të Kuvendit Komunal, shoqata të dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve.

Fillimisht, janë bërë homazhe dhe kanë vënë buqeta me lule të freskëta në sheshin “Fehmi Lladrovci”, pranë shtatorës së Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Shaban, Hamëz e Adem Jashari, Bedri Shala, Rasim Kiçina e Ilaz Kodra, dhe homazhet kanë vazhduar për nderim në Kompleksin e Jasharajve në Prekaz, në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Marinë, në varrezat e dëshmorëve në Gllanasellë, Likoshan, Çikatovë e Vjetër, Baicë, Abri, Tërdec, Gllobar, Tërstenik, Vërboc, Shtuticë, Negroc, Krajkovë, Damanek, Shtrubullovë, Poklek i Ri dhe i Vjetër dhe në Nekoc.

 

Pas homazheve, është mbajtur edhe Seanca Solemne e Kuvendit të Komunës dhe para të pranishmëve kryetari Lladrovci mbajti këtë fjalë rasti:

 

Para se të vinim këtu, së bashku vizituam të gjitha vatrat nga buroi liria. Së bashku ishim në Sheshin "Fehmi Lladrovci", për të respektuar dëshmorët, në Prekazin legjendar, për të nderuar komandantin legjendar Adem Jasharin, Hamzën, Bacën Shaban dhe të gjithë Jasharajt.

Pastaj kemi shkuar në të gjitha varrezat e dëshmorëve të komunës tonë, duke shprehur respekt e nderim për çdonjërin, për familjet e tyre me mesazhin se ata janë të pavdekshëm, sepse, ata jetojnë me lirinë tonë.

Kjo ishte edhe mesazhi ynë për këtë ditë të madhe, në përvjetorin e 12 të pavarësisë.

Mesazhi ishte dhe mbetet, ne përjetësisht do t’i nderojmë heronjtë tanë, dëshmorët dhe martirët e lirisë, ata të cilët i dhanë drejtim, i dhanë kuptim dhe i dhanë zjarr lirisë tonë, për të arritur ne, së bashku, në shënimin e 12 të shtetit tonë.

Kjo vizitë e jona, nuk ishte vizitë formale, punë adeti, por ishte zotim para atyre qindra varreve se amanetin e tyre për ta bërë shtetin, për ta bërë vendin tonë të dinjitetshëm, të lirë, të bazuar mbi ligj dhe drejtësi, është angazhim joni i çdo ditshëm.

Ne çdo ditë angazhohemi për mirëqenien e qytetarëve tanë, sepse e kemi obligim ta bëjmë vendin tonë sa më të përparuar, sa më të fortë, në shërbim të qytetarit, në shërbim të nevojave të tij.

Në këtë ditë feste, kujtojmë edhe kontribuuesit e kësaj dite që janë gjallë, këtu, në mesin tonë.

I kujtojmë veteranët dhe invalidët e lirisë tonë, por i kujtojmë me krenari edhe nënat e motrat tona, të cilat u rreshtuan krah vëllezërve dhe burrave të tyre, që e frymëzuan çlirimin, punuan dhe angazhuan për çlirim.

Në mesin tonë mungon edhe veprimtari e patrioti i shquar, ish nënkryetari ynë, Gani Sylaj. Kujtimi për të do të jetë i përjetshëm.

Sot, me nderim, falënderoj të gjithë qytetarët e komunës tonë që kontribuuan për përparimin e komunës tonë, administratën komunale e përkushtuar në shërbim të qytetarit, nivelin qendror por edhe miqtë tanë ndërkombëtar, për përkrahje për mirëqenien e qytetarëve të komunës tonë, qoftë me vlerësime, qoftë me donacione e subvencione.

Në këtë përvjetor, nuk do të lavdërohemi, sepse, të gjithë mund të bëjmë më shumë, edhe arsimim më të mirë, edhe shëndetësi më të mirë, edhe mbrojtje ambienti më të mirë, edhe administratë më efikase, edhe bujqësi më të avancuar, nxënës e studentë më të ditur, edhe biznesmen më të suksesshëm.

Të bëjmë më shumë.

Në këtë 12 vjetor të Pavarësisë së shtetit tonë, të zotohemi që bëjmë më shumë dhe më mirë, për qytetarët tanë, për ata që na dhanë besimin, për qeverisje me transparencë, llogaridhënie dhe sundim të ligjit.

Përgëzoj të gjithë qytetarët e komunës tonë, me urimin, gëzuar 12 vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Qofshi të lumtur, në shtetin tonë që po e ndërtojmë çdo ditë, me aq sa mundemi dhe sa kemi përgjegjësi.

Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Urime 12 vjetori i Pavarësisë së Kosovës!

 

Për të përmbyllur aktivitetet e 12-vjetorit të Pavarësisë, në Sallën e Kulturës është mbajtur një program kulturor e artistik me shoqëritë kulturore e artistike të Komunës së Drenasit.

 


MË SHUME NGA Nacionale